U inagurua me këngë e valle/ Në tunelin e Murrizit s’ka ventilim, shoferët: Po mbytemi nga gazrat

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.03.2025, 15:43

Të premten e 14 marsit, që përkoi me Ditën e Verës, Edi Rama inaguroi tunelin e Murrizit, që lidh Tiranën me Qarkun Dibër dhe Maqedoninë e Veriut, duke shmangur bypassin problematik.

Në një festë me muzikë, këngë e valle, tuneli u hap për qarkullimin e të gjitha llojeve të automjeteve, edhe pse sistemi i pastrimit të ajrit në brendësi ende nuk është vënë në funksion.

Tuneli, me një gjatësi prej 3.8 kilometrash pritet të sjellë një lehtësim për qarkullimin e qytetarëve në këtë segment të rëndësishëm rrugor, por mungesa e ventilimit e vështirëson lëvizjen dhe ndikon në shëndetin e drejtuesve të mjeteve.

Disa qytetarë kanë raportuar për mediat se sistemi i pastrimit të ajrit ende nuk është vënë në funksion, duke krijuar mundësi për grumbullimin e gazrave të dëmshëm brenda tunelit, që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e tyre. Të indinjuar, ata kërkojnë që ventilatorët të vihen urgjentisht në punë për të parandaluar krijimin e ajrit toksik dhe për të siguruar një kalim të sigurt për të gjithë ata që përdorin tunelin.

"As 4 muaj s'kanë për t'u vendosur në punë se nuk ekzistojnë fare, ai me gënjeshtra na mban. Gazrat s'ka kush t'i pastrojë, me patjetër duhet të punojë ventilimi".

"Ventilatorët duhet të vendosen sa më shpejt sepse pastrohet ajri e oksigjeni, se kështu ka shumë rrezik."

Një tjetër shqetësim i qytetarëve ka të bëjë me kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë rrugë. Drejtuesit e mjeteve thonë se kalimi i automjeteve të tilla mund të shkaktojë dëmtim të shpejtë të tunelit dhe të infrastrukturës rrugore, siç ka ndodhur dhe me rrugën Klos – Burrel – Skuraj.

Rikujtojmë se puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ka nisur në vitin 2011 dhe përbëhet nga 6 tunele dhe 4 ura. Kostoja totale e koncesionit për ndërtimin e kësaj rruge arrin mbi 40 miliardë lekë. Me hapjen e tunelit të Murrizit, ky segment ka përfunduar, por mbeten ende shqetësime që kërkojnë zgjidhje për të siguruar një qarkullim të sigurt dhe të shëndetshëm për qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit