Dita e sotme, e martë, 18 mars, ka shënuar fillimin e pelegrinazhit të përvitshëm në Kishën e “Shna Ndout” në Laç.
Qindra besimtarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit, iu drejtuan këtij vendi të shenjtë, duke u lutur për shëndet, paqe dhe begati në familjet e tyre.
Kisha e Laçit është një vend i shenjtë që ka bërë mrekulli të shumta dhe është një nga vendet më të vizituara nga besimtarët, të cilët besojnë në fuqinë shpirtërore të këtij vendi. Pelegrinët e ardhur nga çdo anë e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare jashtë shtetit, shprehin besimin dhe përkushtimin e tyre në këtë ritual të rëndësishëm fetar.
Pelegrinazhi do të vijojë për 13 të marta radhazi, deri më 10 qershor, kur përfundon rituali i shenjtë.
Gjatë ditës së parë të pelegrinazhit, është vërejtur një trafik i rënduar në rrugët që çojnë drejt Kishës, duke treguar fluksin e madh të vizitorëve që e bëjnë këtë udhëtim të shenjtë çdo vit.