Qytetarë që kërkojnë ndihmë mjekësore në urgjencën e Lezhës, kanë sjellë sot shqetësimin e tyre për kushtet e papërshtatshme që gjejnë në spitalin qendror, ku lagështira nëpër mure dhe mungesa e kushteve bazë të higjenës dhe ngrohjes mund të dëmtojnë më shumë, në vend që të përmirësojë shëndetin e tyre.
Në pamjet e dërguara, duket gjendja e dhomave të pritjes që përdoren për trajtimin e pacientëve të urgjencës. Dhomat janë të ftohta, të zhveshura dhe të mbushura me lagështi, një situatë që është e papranueshme për një institucion shëndetësor.
Edhe pse këto dhoma janë hapësira të përkohshme për pacientët që presin trajtim, kushtet e këqija mund të shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta në përmirësimin ose përkeqësimin e shëndetit të tyre.
Kjo situatë ka shqetësuar shumë qytetarë që kërkojnë ndihmën mjekësore dhe familjarët e tyre, të cilët i kërkojnë autoriteteve të ndërhyjnë sa më shpejt për të siguruar kushte më të mira për pacientët dhe për stafin mjekësor që punon në këto ambiente.