Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë natës në autostradën Tiranë-Durrës, ku dy persona kanë qëlluar me armë drejt godinës së “CFO Pharma”.
Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë derdhur 34 plumba në drejtim të godinës në pronësi të oligarkut Nadir Çausholli, ndërkohë që dyshohen se kanë pasur një plan të mirëkoordinuar.
Njëri prej autorëve ka qëlluar, ndërsa tjetri ka qëndruar në rolin e shoferit. Automjeti ka ndaluar përpara godinës, ku është qëlluar në drejtim të biznesit. Pas kësaj, autorët janë larguar në drejtim të Vorës.
Një element i kësaj ngjarje është fakti se autorët kanë qëlluar vetëm në pjesën e lartë të fasadës në katin e fundit të godinës, dhe hetuesit dyshojnë se kjo mund të ketë qenë një strategji e autorëve për të dhënë një mesazh paralajmërimi, duke shmangur mundësinë e viktimave.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të natës, por policia është njoftuar rreth orës 08:10, duke treguar një vonesë të konsiderueshme për të lajmëruar ngjarjen dhe reaguar ndaj autorëve.
Grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e motiveve të sulmit dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.