“130 km=500 Lekë, 40 km=500 Lekë?! ‘Matematika’ e çuditshme e autobusëve të linjës Tiranë-Bulqizë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.03.2025, 21:26

Një mesazh ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga qytetarë të Bulqizës, të cilët denoncojnë çmimet e pandryshuara të biletave të transportit ndërqytetas në linjën Tiranë-Bulqizë. Sipas denoncimit, pavarësisht ndryshimit të rrugës dhe shkurtimit të distancës, çmimi i biletës ka mbetur i njëjtë, duke rënduar xhepat e qytetarëve.

Në mesazhin e dërguar, një qytetar shprehet se para më shumë se katër vitesh, kur distanca rrugore Tiranë-Bulqizë ishte 130 km, çmimi i biletës kushtonte 500 lekë. Me hapjen e Rrugës së Arbrit, distanca është shkurtuar ndjeshëm, por çmimi i biletës ka mbetur i pandryshuar në 500 lekë.

"Kur kemi pyetur, na është thënë se rruga nuk është marrë nga Autoriteti Rrugor dhe me letra bileta është sikur kalojmë nga rruga e vjetër," shkruan qytetari i shqetësuar. Ai shton se fillimisht, qytetarët e kanë kuptuar disi këtë argument duke marrë parasysh sforcon e autobusëve nëpër by-pass, por tashmë që është hapur tuneli dhe distanca Tiranë-Bulqizë është vetëm 40 km, situata është e papranueshme.

Duke iu referuar tabelës së publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, qytetari thekson se çmimi i biletës për këtë distancë nuk duhet të jetë më shumë se 250 lekë. Ai ngre pyetjen se si shoqëritë e transportit kanë luajtur me çmimet dhe cili është autoriteti shtetëror që duhet t'i detyrojë këto shoqëri ta ulin çmimin në bazë të kilometrave realë.

Qytetarët e Bulqizës kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve kompetente për të rregulluar këtë situatë dhe për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike.

JOQ Albania i bën thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të shqyrtojnë këtë ankesë dhe të marrin masat e nevojshme për të siguruar që çmimet e transportit publik të jenë në përputhje me distancën reale të rrugës dhe të mos rëndojnë xhepat e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit