Kryetari i Komisionit Parlamentar Arben Pëllumbi, bëhet me resort në Jug

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17.03.2025, 19:30

Investimet e zyrtarëve të lartë socialistë në ndërtimin e resorteve dhe hoteleve luksoze në bregdetin e Jugut po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, duke ngritur dyshime për përdorimin e favoreve shtetërore në këtë sektor fitimprurës. Rasti më i fundit është ai i Arben Pëllumbit, kryetarit të Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, i cili ka aplikuar për ndërtimin e një kompleksi turistik në Radhimë të Vlorës.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, projekti i deputetit socialist përfshin një kompleks apart-hotel me ndërtesa që variojnë nga 1 deri në 6 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokësore. Ky investim është bërë në emër të kompanisë A.B.A., e cila zotërohet 100% nga vetë Pëllumbi dhe administrohet nga vëllai i tij, Erlind Pëllumbi.

Ky nuk është rasti i parë ku një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste shfaqet i përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi në bregdet. Më herët, Artan Gaçi, ish-deputet socialist dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, tentoi ndërtimin e një hoteli me 5 yje në Himarë. Ky investim përfitoi nga statusi i "Investitorit Strategjik", një mekanizëm i qeverisë për t’u dhënë përparësi projekteve të mëdha, si dhe mori të drejtën për përdorimin e plazhit për 30 vjet. Megjithatë, pas denoncimeve publike, kjo çështje përfundoi në SPAK, ku kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua për falsifikim të dokumenteve të pronës.

Hetimet zbuluan se toka ku do të ndërtohej hoteli ishte përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, duke u regjistruar fillimisht në emër të dy banorëve të zonës, të cilët më pas ia shitën familjes së ish-ministres Xhaçka për një çmim shumë më të ulët se vlera e tregut – rreth 20 euro për metër katror. Gjykata e Posaçme vendosi përfundimisht konfiskimin e kësaj prone nga shteti, ndërsa Goro u dënua me dy vite burg.

Interesante është fakti që lidhjet mes Pëllumbit dhe Xhaçkës nuk kufizohen vetëm te biznesi i resorteve. Ish-ministrja është mbesa e deputetit Pëllumbi, duke krijuar kështu një rrjet të fuqishëm familjar dhe politik brenda Partisë Socialiste, i cili duket se ka siguruar akses të privilegjuar në investimet në bregdet.

Ky fenomen ka krijuar shqetësim mbi mënyrën se si qeveria ka orientuar politikat e saj zhvillimore në turizëm. Me statusin e "Investitorit Strategjik", qeveria ka ofruar toka shtetërore, ulje taksash dhe lehtësi të tjera fiskale për ndërtimin e resorteve, por gjithnjë e më shumë po del në pah se këto favore përfundojnë kryesisht në duart e njerëzve të pushtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit