Vetëm tetë refugjatë shqiptarë të përfshirë në krime janë kthyer për të vuajtur dënimin në vendin e tyre, megjithë një skemë 8 milionë paundë të reklamuar me zhurmë nga qeveria britnanike që tenton të largojë nga vendi rreth 200 vrasës, përdhunues dhe trafikantë të drogës.
Skema parashikon pagesa për qeverinë shqiptare sa herë kthehet një i dënuar, por ashtu si iniciativa të tjera ligjore “inovative” kanë mbetur kryesisht vetëm në letër.
Skema dyvjeçare, e nisur në 2023, synonte të dyfishonte numrin e të huajve të dëbuar në 200 por burimet thonë se vetëm tetë nga 67 të listuarit janë dërguar realisht në Tiranë.
Zyrtarët justifikohen se vonesat shkaktohen nga procedurat e gjata administrative, për planin sipas të cilit Britania e Madhe t’i paguajë Shqipërisë rreth 4 milionë £ në vit për të pranuar të burgosurit më të dhunshëm.
Marrëveshja fillestare përfshinte 12 vrasës, tetë përdhunues dhe më shumë se 100 të dënuar për krime droge dhe armësh.
Një nga të burgosurit e kthyer është trafikanti i drogës Klodjan Çopja, i cili u dërgua në Shqipëri në marsin e kaluar për të vuajtur një dënim prej 17 vitesh në burg.
Po ashtu, zbulohet se Erald Mema, i dënuar me 25 vite burg në vitin 2018 për rolin e tij udhëheqës në një operacion masiv të trafikimit të kokainës, është kthyer në Shqipëri.
Mendohet se ai zgjodhi të kthehej pasi komisioni shqiptar i lirimit me kusht mund t’i japë një lirimin më të hershëm sesa do të kishte në Britani.
Të dy mbahen në burgun e sigurisë së lartë te Drenovës, ku do të qëndrojnë derisa të kenë vuajtur gjysmën e dënimit.
Marrëveshja thotë se i kursen Britanisë rreth dy të tretat e kostos prej 109 £ në ditë për mbajtjen e tyre në burgjet vendase, teksa një qeli në Shqipëri kushton vetëm 32 £ në ditë.
Megjithatë, shumë të dënuar të tjerë ende nuk janë kthyer, pavarësisht se janë identifikuar për deportim.
Ndër ta është Ibrahim Bezati, 38 vjeç, i cili burgosi dhe përdhunoi një grua të droguar dhe të pambrojtur në shtator 2021.
Ky “predator seksual i rrezikshëm” u dënua me 17 vjet burg dhe pritet të vuajë shumicën e dënimit në Shqipëri si pjesë e marrëveshjes.
Një gjykatës i tha Bezatit se ai i kishte shkaktuar viktimës së tij “makthin më të keq të çdo gruaje” dhe “e trajtoi atë si më pak se nje njeri”.
Një tjetër që pret të deportohet është Dorian Pirija, 36 vjeç, i dënuar me 19 vjet burg në vitin 2021 për komplotin për të vrarë një trafikant rival droge në Hartlepool.
Hamawand Ali Hussein, 30 vjeç, u vra me një armë gjahu të shkurtuar në kokë në vitin 2019 pasi Pirija planifikoi ta ekzekutonte për të zgjeruar zonën e tij të trafikut të drogës.
Pirija, nga Bolton, u shpall i pafajshëm për vrasje, por u dënua për ‘vrasje nga pakujdesia’.
Përdhunuesi Klodjan Samurri, 31 vjeç, pritet të dërgohet në Shqipëri pasi sulmoi një grua të dehur në shtëpinë e saj.
Ai u kap kur miqtë e saj e panë duke mbyllur pantallonat, ndërsa ajo i lutej të largohej.
Por Samurri gënjeu dhe tha se ajo kishte dhënë miratimin, duke u thënë shoqeve të saj: “Po, po, çdo gjë është në rregull”.
Shifrat tregojnë se ka 1,273 shqiptarë të burgosur në Britaninë e Madhe, më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj.
Më herët këtë muaj, u zbulua se Maksim Cela, 59 vjeç, një vrasës nga mafia shqiptare, ishte liruar me kusht ndërsa lufton për të shmangur deportimin.
Burime qeveritare theksuan se Britania e Madhe paguan Shqipërinë vetëm pjesërisht nga shuma prej 8 milionë £ sa herë që një kriminel kthehet.
Paratë do të përdoren për të rinovuar burgjet shqiptare, për të rritur sigurinë, për të ndërtuar punëtori, për pajisje rehabilitimi dhe për trajnimin e rojeve të burgjeve.
Më shumë se 1,000 shqiptarë, përfshirë emigrantë të ardhur ëme gomone, janë kthyer në Shqipëri në bazë të marrëveshjeve të tjera të përbashkëta që nga viti 2022.
Disa gjithashtu kanë pranuar pagesa prej 1,500 £ për kthimin e lehtësuar, nëse premtojnë të mos kthehen, shkruan rrjeti vendas The Sun.
Maksim Cela, 59 vjeç, një vrasës nga mafia shqiptare, ishte liruar me kusht ndërsa lufton për të shmangur deportimin.