Detaje të reja kanë dalë në lidhje me aksidentin tragjik në Athinë, ku një taksist shqiptar humbi jetën pasi automjeti i tij u godit nga një makinë që drejtohej nga një 22-vjeçare greke me shpejtësi të lartë.
Viktima, Gentian Kamberi, 47 vjeç, me origjinë nga Tirana, kishte ndërtuar jetën e tij në Greqi dhe ishte baba i një vajze 12-vjeçare. Ai dhe bashkëshortja e tij punonin si taksistë, duke ndarë oraret e punës – ajo gjatë ditës dhe ai gjatë natës – për të siguruar një jetë të mirë për familjen e tyre.
Një nga miqtë e tij të ngushtë ka shprehur dhimbjen për humbjen tragjike të Kamberit:
"Ishte një njeri i ndershëm, i cili punoi dhe ndërtoi jetën e tij në Greqi. Nuk kam fjalë për atë që i ndodhi atij dhe familjes së tij. Është një fatkeqësi e madhe. Vajza e tij do të rritet pa baba, dhe e shoqja, një grua shumë e denjë, do të duhet të mbajë barrën e familjes e vetme. Nuk mund ta besoj që ai u largua në mënyrë kaq të padrejtë."
Sipas raportimeve, 22-vjeçarja Ekaterina Caci ka kaluar një semafor të kuq dhe është përplasur me taksinë e drejtuar nga Kamberi. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se e reja kishte konsumuar alkool mbi normën e lejuar. Ajo mbeti e plagosur dhe po trajtohet në Spitalin Attikon, ndërsa është arrestuar dhe pritet të japë dëshminë e saj para hetuesve mëngjesin e së martës.