Sistemi arsimor shqiptar po përballet me një krizë të thellë, teksa matjet dhe indekset ndërkombëtare vazhdojnë të tregojnë një përkeqësim të aftësive të të rinjve. Sipas raportit më të fundit të Fondit Europian për Trajnimet (ETF) me titull “Trajnimet, arsimi, aftësitë dhe punësimi: Tendencat dhe zhvillimet 2024”, aftësitë e të rinjve në arsimin profesional në Shqipëri kanë pësuar një rënie prej 20% krahasuar me vitin 2023.
Ky publikim tregon se, për herë të dytë gjatë vitit 2024, ETF ka matur performancën e arsimit profesional në vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Rezultatet kanë konfirmuar se Arsimi dhe Formimi Profesional (VET) në shumicën e vendeve vazhdon të performojë dobët, sidomos në raport me cilësinë e aftësive dhe kompetencave që u ofrohen të rinjve në krahasim me të rriturit. Megjithatë, rënia e regjistruar në Shqipëri ka qenë më e theksuar, duke ndjekur prirjen negative të evidentuar edhe në testimet ndërkombëtare si PISA.
Në vende si Shqipëria, punëdhënësit shpesh përballen me boshllëqet e lëna nga sistemi arsimor, përfshirë arsimin profesional, duke u detyruar të kompensojnë në mënyra të tjera mungesën e aftësive të nevojshme te punonjësit e rinj. Kjo situatë dëshmon për probleme të vazhdueshme me cilësinë e arsimit profesional.
Një tjetër aspekt shqetësues është hendeku në rritje midis arsimit profesional dhe nevojave të tregut të punës. Ndërkohë që të rriturit shqiptarë kanë më pak mangësi në aftësitë profesionale—pasi gjatë kohës kur ata kanë studiuar, shkolla ka pasur lidhje më të forta me tregun e punës—situata për të rinjtë është përkeqësuar ndjeshëm. Në vend që të zvogëlohet, ky hendek po thellohet, duke krijuar vështirësi të mëdha për integrimin e tyre në tregun e punës.
Edhe pse dy vite monitorimi nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar një trend të qëndrueshëm, ETF vëren se rezultatet e vitit 2024 sugjerojnë një model të vazhdueshëm të performancës së dobët të të diplomuarve në arsimin profesional. Në disa vende, si Turqia dhe Moldavia, cilësia e aftësive të fituara nga të rinjtë dhe të rriturit është pothuajse e barabartë. Në të kundërt, në vende si Kirgistani dhe Kosova, të rinjtë që diplomohen nga arsimi profesional dhe hyjnë në tregun e punës kanë aftësi më të larta se kolegët e tyre më të rritur.
Raporti evidenton gjithashtu dallime të ndjeshme midis vendeve në evolucionin e performancës arsimore. Ndërsa shtete si Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Egjipti kanë përmirësuar rezultatet në arsimin profesional për të rinjtë, vende të tjera si Shqipëria, Mali i Zi dhe Jordania kanë shënuar rënie, në disa raste të konsiderueshme. Për të rriturit, trendet janë përgjithësisht negative, me rënie të theksuara në vende si Mali i Zi, Ukraina dhe Serbia, ndërsa Egjipti dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2023.
Këto rezultate ngrenë shqetësime serioze mbi të ardhmen e arsimit profesional në Shqipëri dhe mbi ndikimin e tij në ekonominë dhe tregun e punës, duke kërkuar masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit të të rinjve.