Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se është konfirmuar një vatër e re e Influencës Aviare (H5N1), e njohur si gripi i shpendëve, në fshatin Maliq Muço në Durrës.
Sipas njoftimit, në një fermë kanë ngordhur 1848 shpendë, të cilët kanë rezultuar pozitivë për virusin H5N1.
Pas identifikimit të këtij rasti është ndaluar shitja dhe tregtimi i shpendëve të gjallë në disa zona të Durrësit, përfshirë Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë.
Për të monitoruar dhe kontrolluar situatën, ekipet e Shërbimit Veterinar Rajonal kanë inspektuar 211 ferma dhe kanë kontrolluar 2,958 shpendë, për të vlerësuar përhapjen e mundshme të sëmundjes në zona të tjera.
Edhe pse kjo është vatra e dytë e gripit të shpendëve, pas asaj në fermën e vezëve "Rea's", autoritetet thonë po mbajnë nën monitorim edhe fermat e tjera të vogla familjare në zonë, për të siguruar që situata të kontrollohet dhe të parandalohet çdo shpërthim i mëtejshëm i gripit të shpendëve.
Njoftimi i Ministrisë:
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka konfirmuar një rast të ri të Influencës Aviare (H5N1) me patogjenitet të lartë në një stabiliment mbarështimi dhe prodhimi shpendësh në fshatin Maliq Muço, Durrës.
Shërbimi veterinar rajonal, së bashku me përfaqësues të Ministrisë, janë paraqitur në subjektin e prekur, ku kanë konstatuar ngordhjen e 1,848 shpendëve. Pas marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), u konfirmua prania e virusit, çka çoi në organizimin e një takimi emergjent të Qendrës Kombëtare të Krizës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, Ministria për Pushtetin Vendor dhe Instituti i Shëndetit Publik.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, janë vendosur masa kufizuese, bazuar në Urdhrin e Ministrit Nr. 240, datë 9.3.2025. Ndalohet tregtimi dhe lëvizja e shpendëve të gjallë në mjedise të hapura dhe tregje të kafshëve të gjalla në disa njësi administrative, përfshirë Sukth, Manëz, Katund i Ri, Maminas, Gjepalaj, Rashbull, Thumanë, Bubq, Prezë dhe Vorë. Lëvizja e shpendëve drejt thertoreve lejohet vetëm pas testit PCR dhe me autorizim zyrtar.
Ndërkohë, ekipet e Shërbimit Veterinar Rajonal kanë monitoruar 211 ferma, duke kontrolluar 2,958 shpendë për të vlerësuar përhapjen e sëmundjes. Gjithashtu, Instituti i Shëndetit Publik është njoftuar për të vlerësuar rreziqet e mundshme për shëndetin e njerëzve.
Ministria e Bujqësisë i bën thirrje fermerëve dhe shpendërritësve të rrisin vigjilencën, të zbatojnë masat e biosigurisë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin e gjelbër 08003366 ose në adresën e emailit [email protected].