Një qytetar ka ngritur sot në redaksi shqetësimin e gjobave pa kriter me të cilat policia përpiqet të zhvasë para nga qytetarët, pa justifikuar dot veprimet e saj ose me gabime trashanike në përshkrimet.
Oficerët janë gjithmonë të kujdesshëm të llogarisin shumat dhe kamatat që u kërkojnë njerëzve të paguajnë, por ata duket se nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për të treguar vendndodhjen dhe arsyet e gjobave me të cilat tentojnë të mbledhin padrejtësisht para të fituara me punë e djersë nga qytetarët.
Në gjobën qesharake të dërguar në redaksi shihet sesi vendndodhja e veprimit është përshkruar me fjalët “SI NE SHTEPI” duke dëshmuar për paaftësinë e zyrtarëve që shpesh nuk punësohen në bazë të meritave dhe arsimit të tyre, por lidhjeve partiake ose fisnore.
Qytetari i shqetësuar shkruan: “Ma shpjegon te lutem dot se ku esht ky vendi? Si ‘ne shtepi’? Se kuptoj dot me kte polici qe kemi”.
Këto gjoba të padrejta po krijojnë një atmosferë të rënduar dhe të pasigurt për qytetarët, të cilët janë të detyruar të përballen me detyrime të paplanifikuara dhe të paarsyeshme.
Kjo ndodh pasi shumë zyrtarë policie, të cilët nuk kanë arsimin e duhur apo përgatitjen profesionale, kanë marrë pozita në administratë duke krijuar një sistem që sjell keqfunksionim dhe keqpërdorim të pushtetit.
Për këtë problem është i domosdoshëm ndërgjegjësim dhe një reformë e thellë në sektorin e policisë dhe administratës shtetërore, që procedurat të jenë të qarta dhe transparente, me detaje të plota për vendndodhjen dhe shkaqet e çdo gjobe.