20 të arrestuar nga zjarri vdekjeprurës në klubin e natës, gjendja e të plagosurve e rëndë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.03.2025, 08:33

Të paktën 20 persona janë arrestuar nga policia e Maqedonisë së Veriut pas zjarrit që shpërtheu në një klub nate dhe u mori jetën 59 personave.

Zjarri shpërtheu rreth orës 02:30 me orën lokale të dielën në klubin Pulse në Koçan, ku rreth 500 persona ishin mbledhur për një koncert të DNK, një dyshe e njohur hip-hop në vend.

Vetëm një anëtar i grupit mbijetoi dhe po trajtohet në spital, tha një zëdhënës i zyrës së prokurorit. Në koncert u plagosën gjithsej 155 persona. Drejtori i spitalit të Koçanit tha se stafi fillimisht kishte vështirësi në identifikimin e pacientëve për shkak të mungesës së letërnjoftimeve. Tetëmbëdhjetë pacientë u vlerësuan si në gjendje kritike.

Sipas autoriteteve, urdhrat e ndalimit janë lëshuar për 20 të dyshuar që besohet se janë përgjegjës për zjarrin duke përfshirë "punonjës nga ministritë që kanë dhënë këtë leje". Mes të dyshuarve janë edhe djali i pronarit të klubit, drejtori i shoqërisë administruese dhe pjesëtarë të sigurimit të lokalit.

Ministri i Brendshëm Pançe Toskovski tha të dielën pasdite se vendi i ngjarjes nuk kishte një leje të ligjshme operimi, ndërsa policia po heton nëse ryshfeti dhe korrupsioni janë të lidhura me zjarrin. Lokali i cili ndodhet rreth 100 kilometra (60 milje) në lindje të kryeqytetit, Shkup , është përshkruar në shtypin vendas si një "klub nate i improvizuar", duke qenë më parë një depo qilimash.

Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare dhe do të mbajë një mbledhje urgjente si pjesë e hetimeve në vazhdim për mënyrën sesi ndodhi incidenti.

Nga ngjarja tragjike 155 persona kanë mbetur të plagosur dhe gjendja e shumë prej tyre është e rëndë për shkak të djegieve që kanë pësuar. Një pjesë e tyre po marrin trajtim mjekësor në Koçan dhe Shkup, ndërsa të tjerë janë dërguar në Bullgari, Greqi e Turqi për trajtim më të specializuar.

Në listën e viktimave është edhe 25-vjeçari Andrei Lazarov, i cili ishte futbollist i skuadrës së Shkupit. Si një hero, Lazarov humbi jetën duke u përpjekur të ndihmonte të tjerët t'i shpëtonin flakëve. Gjatë aktit të tij heroik, ai u helmua nga tymi. “Ne do ta kujtojmë përgjithmonë heroizmin dhe humanizmin e tij në këto momente të fundit”, tha ekipi i 25-vjeçarit në një deklaratë. Lazarov, i cili kishte luajtur për kombëtaren e të rinjve të Maqedonisë së Veriut, luajti në Kroaci deri vitin e kaluar, para se të kthehej në vendin e tij për këtë sezon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit