Një qytetar nga Përmeti ka dërguar një video në redaksinë e JOQ Albania, ku denoncon situatën alarmante të qenve endacakë në qytet.
Sipas tij, numri i tyre është shtuar ndjeshëm dhe përbën një rrezik serioz për banorët. Ai pohon se qentë janë agresivë dhe kanë sulmuar disa qytetarë, duke shkaktuar panik mes banorëve.
"Terror në Përmet. Shikoni çfarë bëjnë qentë e rrugës. Jemi në qendër të qytetit dhe po pataksin njerëzit. Disa ditë më parë kanë kafshuar një qytetar dhe askush nuk po merr masa", dëgjohet të thotë qytetari në videon e dërguar.
Sipas denoncimit, situata sa vjen dhe përkeqësohet, pasi qentë endacakë nuk po trajtohen siç duhet nga autoritetet lokale. Qytetari shpreh shqetësimin se për çdo ditë qentë shtohen dhe bëhen më të rrezikshëm, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të zgjidhur këtë problem.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se këta qen janë të braktisur dhe nuk kanë asnjë faj për situatën në të cilën ndodhen. Ndërsa shqetësimi i qytetarëve është i kuptueshëm, zgjidhja nuk duhet të vijë në dëm të jetës së kafshëve. Bashkia Përmet duhet të marrë masa urgjente për menaxhimin e kësaj problematike, duke ndërtuar një strehë për qentë endacakë dhe duke siguruar trajtimin e tyre në mënyrë humane.
Kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, si për të mbrojtur qytetarët, ashtu edhe për të garantuar mirëqenien e kafshëve, të cilat nuk duhet të jenë viktima të neglizhencës institucionale. Qytetarët e Përmetit presin një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë problematikë që po u rrezikon sigurinë çdo ditë.