Të mbijetuarit e tragjedisë në Koçan rrëfejnë çastet e tmerrit pas shpërthimit të zjarrit: Më shkelën sipër

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 16.03.2025, 18:18

Situata në oborrin e spitalit të Koçanit mbetet e tensionuar, ndërsa familjarët kërkojnë me ngulm të marrin trupat e të dashurve të tyre, viktima të aksidentit tragjik në diskotekën “Puls”, raporton Alsat.

Dhimbja, trishtimi, frika dhe lotët shihen në fytyrat e familjarëve që presin me ankth informacione për të mbijetuarit dhe për të mësuar më shumë mbi fatin e të afërmve të tyre. Mes tyre ndodhen edhe disa prej të mbijetuarve të zjarrit, të cilët tregojnë momentet e tmerrit që përjetuan.

Një e mbijetuar rrëfen se, sapo nisi zjarri, të gjithë vrapuan drejt daljes, duke u përpjekur të shpëtonin jetën. Në panikun e krijuar, askush nuk ishte i vetëdijshëm për atë që po ndodhte, teksa trupa të djegur shiheshin në çdo anë. Ajo shprehet se motra e saj është zhdukur dhe nuk mund ta gjejnë në asnjë spital. Teksa po përpiqej të dilte jashtë, ajo rrëzon në tokë dhe njerëzit e panikosur i kalojnë sipër.

Një tjetër i mbijetuar, ende i tronditur, thotë se gjithçka ndodhi me shpejtësi dhe se nuk mban mend as sesi është lënduar dhe si ka arritur në spital. Ai ka pësuar djegie në kokë dhe në duar. Rrëfimet e të mbijetuarve flasin për një skenë kaotike dhe një frikë të madhe që ka lënë gjurmë tek të gjithë ata që e përjetuan ngjarjen.

Ngjarja ka tronditur jo vetëm Koçanin, por të gjithë Maqedoninë dhe më gjerë. Familjarët dhe qytetarët shprehin dhimbjen dhe trishtimin për këtë tragjedi. Ata thonë se mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga vende të ndryshme, duke e cilësuar këtë si një nga fatkeqësitë më të rënda që ka goditur jo vetëm Koçanin, por edhe rrethinat e tij, përfshirë Dellçevën, Vinicën dhe fshatrat përreth.

Një prej familjarëve kujton me trishtim se djali i një miku të tij, i cili punonte si roje sigurie në diskotekë, është helmuar nga monoksidi i karbonit. Ai kishte ndihmuar të tjerët të shpëtonin, por kishte përjetuar një tmerr të madh. Mes dhimbjes, familjari refuzon të flasë më shumë, duke u tërhequr i mbytur nga emocionet.

Në ndihmë të të lënduarve ka ardhur edhe Kryqi i Kuq. Kryetari i organizatës, Sait Saiti, ka bërë të ditur se për momentin nuk ka nevojë për dhurime gjaku, pasi rezervat e sistemit shëndetësor janë të mjaftueshme. Ai shton se, nëse lind nevoja, Kryqi i Kuq është i gatshëm të mobilizohet për një aksion të tillë.

Ekipet e Kryqit të Kuq do të vijojnë të qëndrojnë në terren edhe në ditët në vazhdim, për të ofruar ndihmë për familjarët dhe të mbijetuarit e kësaj tragjedie të rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit