Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në Thivon Avenue, Greqi, ku një taksi u përplas me një makinë, duke shkaktuar vdekjen e taksistit shqiptar, Gentjan Kamberi, 47 vjeç nga Tirana, si dhe plagosjen e rëndë të dy pasagjerëve të tjerë, një djalë dhe një vajzë 24-vjeçare.
Sipas mediave greke, drejtuesja e mjetit tjetër, Ekaterina Caci, 22 vjeçe, është arrestuar nga autoritetet, pasi dyshohet se ka kaluar me semafor të kuq. Testi paraprak i alkoolit tregoi se ajo kishte konsumuar alkool mbi kufirin ligjor të lejuar për drejtimin e mjetit, me një nivel rreth 0.70 mg/l. Ndërkohë, po priten edhe rezultatet e analizave toksikologjike nga mostra e gjakut për një matje më të saktë.
Makina e drejtuar nga 22-vjeçarja lëvizte me shpejtësi të madhe në momentin e përplasjes. Në të ndodheshin edhe dy pasagjerë të tjerë, një shoqe dhe një shok i saj, të lindur në vitin 2001. Hetimet paraprake sugjerojnë se shoferja e re mund të ketë kaluar semaforin e kuq në kryqëzim, duke u përplasur dhunshëm me taksinë, e cila po lëvizte në mënyrë të rregullt.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë e plota të palëve të përfshira.