Gjatë muajve të parë të vitit 2025, kërkesa për produktet bazë të shportës ushqimore ka shfaqur luhatje, duke reflektuar tendencën e konsumatorëve për të orientuar shpenzimet drejt mallrave më të lira. Përpunuesit dhe tregtarët po përpiqen të ofrojnë çmime më konkurruese, pasi fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e ulët për shkak të inflacionit dhe pasigurisë ekonomike.
Ndërkohë, importet e produkteve kryesore ushqimore si makaronat, orizi dhe vaji kanë shënuar rritje në vitin 2024, por tendenca e vitit 2025 tregon një ngadalësim për disa prej tyre. Konsumatorët po tregohen më të kujdesshëm në blerje, duke zgjedhur produkte më ekonomike dhe duke përfituar nga ofertat e tregut.
Industria e përpunimit të grurit ka ndjekur një strategji të rezervimit të stokut për shkak të pasigurisë mbi çmimet e ardhshme, ndërsa kërkesa për bukë dhe ëmbëlsira ka shënuar rënie në disa periudha të vitit të kaluar. Emigracioni dhe rënia e popullsisë vazhdojnë të ndikojnë në ecurinë e konsumit, ndërsa sektori ushqimor mbetet i ndjeshëm ndaj luhatjeve të tregut dhe tendencave të reja të blerësve.