Ndihmoi të tjerët dhe u helmua nga tymi, futbollisti i Shkupit në mesin e viktimave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.03.2025, 15:37

Andrej Lazarov, futbollisti 26 vjeçar i FC Shkupit, i cili ishte në mesin e të lënduarve nga zjarri në diskotekën e Koçanit, ka humbur jetën në spitalin e Shtipit.

FC Shkupi ka njoftuar se pasi u helmua nga tymi i zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, ka ndërruar jetë futbollisti i tyre, Andrej Lazarov.

Pas kontakteve me familjarët, FC Shkupi ka mësuar se Andrej u asfiksua nga tymi duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët të shpëtojnë nga klubi i përfshirë nga zjarri.

Duhet thënë se bilanci i tragjedisë në qytetin Koçan, në lindje të Maqedonisë së Veriut vijon të rëndohet pasi të paktën 59 persona kanë vdekur dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur.

Sipas një raporti nga drejtoresha e Spitalit në Koçan, dr. Kristina Serafimovska, viktimat janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç dhe vijnë nga qytetet e Shkupit, Shtipit, Koçanit dhe Probishtipit.

Njoftimi i i FC Shkupi:

Edhe pse paraprakisht nga familjarët e tij kishim informacione se është mirë, me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, njoftojmë se futbollisti ynë, Andrej Lazarov, është konfirmuar mes viktimave të zjarrit tragjik që ndodhi gjatë natës në Koçan.

Si një shpirt hero që ishte, Lazarov humbi jetën duke u përpjekur të ndihmojë të tjerët të shpëtojnë nga ambienti i kapluar nga zjarri. Ai u helmua nga tymi gjatë përpjekjeve të tij për të shpëtuar jetë, duke treguar guxim dhe humanizëm deri në momentin e fundit. Veprimi i tij heroik do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, si një dëshmi e karakterit të tij fisnik dhe zemrës së tij të madhe.

Kjo është një humbje e madhe për klubin tonë, për shokët e ekipit dhe për gjithë komunitetin e futbollit. Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen që ndjejmë në këto momente, në këtë tragjedi prej më të mëdhave në histori që e ka kapluar klubin tonë! FC Shkupi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, të afërmve dhe gjithë familjes së madhe të klubit tonë.

Adrej ishte vetëm gjashtë muaj pjesë e Shkupit, por emri i tij do të mbetet i pashlyer gjithmonë si pjesë e skuadrës sonë. Kujtimi për te do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat tona!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit