Zgjidhet kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.03.2025, 12:17

Sinodi i Shenjtë ka zgjedhur sot pasardhësin e Kryepeshkopit Anastas në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pas mbledhjes së zhvilluar, Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Shqiptare është Hirësia e tij, Imzot Joan Pelushi.

Në një ceremoni solemne, Imzot Joan mbajti një fjalim të shkurtër dhe u duartrokit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm. Ai shprehu angazhimin e tij për të udhëhequr kishën me devotshmëri dhe për të respektuar traditën e shenjtë të saj.

“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit, themeluesit të kishës, të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim. Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë,” tha Imzot Joani.

Pas fjalimit, u mbajt një ceremoni festive, ku morën pjesë besimtarët, drejtuesit e mitropoliteve ortodokse të Shqipërisë dhe të ftuar të tjerë. Hirësia Imzot Joan Pelushi u prit me një ceremoni të veçantë, duke hyrë në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri ranë njëkohësisht për të nderuar këtë moment historik.

Imzot Joan Pelushi pason në këtë detyrë të lartë Kryepeshkopin Anastas, i cili e mbajti këtë post për 33 vjet, por ndërroi jetë në janar të këtij viti. Zgjedhja e tij si Kryepeshkop i ri shënon një etapë të re për Kishën Ortodokse Shqiptare, ndërsa besimtarët dhe udhëheqësit fetarë shpresojnë për një udhëheqje të frytshme dhe të bekuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit