Sot, më 15 mars, Beogradi është shndërruar në epiqendrën e një proteste madhështore, ku mbi 100 mijë studentë e qytetarë kanë dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi dhe transparencë pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një stacioni hekurudhor.
Protestuesit fajësojnë keqmenaxhimin, korrupsionin dhe ndërhyrjet politike, duke e konsideruar këtë fatkeqësi si pasojë të më shumë se një dekade qeverisjeje nga Partia Progresive e Aleksandar Vuçiç.
Pavarësisht disa dorëheqjeve nga zyrtarë të qeverisë, protestat kanë vazhduar të rriten, ndërsa studentët, avokatët, fermerët dhe taksistët janë bashkuar në kërkesat për llogaridhënie të plotë dhe ndëshkim për fajtorët.
Në mes të gjithë kësaj situate të tensionuar, është raportuar se një pjesë e policisë refuzon të marrë pjesë në protestë, madje disa oficerë kanë vendosur të fikin radiot gjatë demonstratës.
Një kolonel policie ka deklaruar për mediat serbe:
"Si mund t’i dërgoj policët kundër fëmijëve të mi, të cilët janë studentë? Ata kanë qenë në çdo protestë, nga Beogradi te Novi Sadi, Kragujevci dhe Nishi. Nuk duam të rrahim fëmijët tanë!"
Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj protestuesve, duke akuzuar opozitën për organizimin e dhunës dhe duke premtuar arrestime për këdo që përfshihet në trazira.
Pavarësisht presioneve, protestuesit janë të vendosur të vazhdojnë betejën për drejtësi dhe transparencë, ndërsa situata në Beograd mbetet e tensionuar dhe e paparashikueshme.