Një tjetër tender i dyshimtë ka përfunduar në duart e të njëjtëve emra që prej vitesh kontrollojnë fondet publike. Universiteti i Mjekësisë në Tiranë i drejtuar nga rektori Xheladin Draçini, ka shpallur fituese kompaninë "RAFIN COMPANY", në pronësi të Renido Petritajt, për rikonstruksionin e godinës së Fakultetit të Farmacisë dhe Shëndetit Publik.
Kontrata është lidhur për 209,735,061 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 2.5 milionë euro me TVSH), ndërkohë që fondi limit ishte 221,176,615 lekë pa TVSH. Pra, vlera fituese përfaqëson 94.8% të fondit limit, një diferencë fare e vogël, e cila ngre dyshime mbi konkurrencën reale të kësaj gare.
Sipas dokumenteve që disponon JOQ Albania, në këtë tender kanë marrë pjesë pesë kompani. Dy prej tyre kanë ofruar çmime dukshëm më të ulëta, madje një ofertë ishte 2.1 milionë euro më pak se ajo e "RAFIN COMPANY", por për arsye të paqarta nuk është marrë në konsideratë. Ky fakt tregon se procedura e tenderimit nuk është ndjekur mbi bazën e konkurrencës së ndershme, por sipas një skenari të paracaktuar.
Megjithëse në letra fituesi i tenderit është Renido Petritaj, burime të ndryshme tregojnë se pas tij qëndron babai i tij, Nefir Petritaj, një ndërtues i vjetër që kontrollon tre kompani bashkë me të birin Renido dhe të bijën Fabiola.
Kompania kryesore, "2 F Construction LTD", tashmë e riemërtuar në "RAFIN COMPANY", ka fituar rreth 70 tendera nga viti 2017 deri më sot, me një vlerë totale rreth 30 milionë euro. Gjysma e këtyre fondeve vijnë nga Bashkia e Tiranës, e cila është përfshirë shpesh në skandale klienteliste.
Ky rast është një tjetër shembull sesi kompanitë e lidhura me pushtetin përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit, ndërsa garat mbeten thjesht një formalitet për të krijuar iluzionin e transparencës. Me tendera të tillë, ku oferta më e ulët refuzohet dhe "miqtë e duhur" fitojnë gjithmonë, shteti shqiptar vazhdon të pasurojë një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët përballen me kriza ekonomike dhe varfëri.
A do të hetohet ky rast? Apo si gjithmonë, skandalet do të harrohen dhe cikli i korrupsionit do të vazhdojë?