Serbët mbushin sheshet kundër korrupsionit, Berisha proteston për Tik-Tokun

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15.03.2025, 18:56

Sot, në Beograd, qindra mijëra qytetarë, mes tyre dhe mijëra studentë, mbushën rrugët dhe sheshet për të protestuar kundër regjimit të Aleksandar Vuçiçit. Ata kërkojnë drejtësi për viktimat e tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku 15 persona humbën jetën. Protesta nuk është vetëm për këtë ngjarje, por për një sistem të kalbur, një qeveri të korruptuar dhe një vend që po rrëshqet në diktaturë.

Ndërkohë, në Shqipëri, opozita e drejtuar nga Sali Berisha thirri protestë... për TikTok. Po, e lexuat mirë. Nuk ka protesta për varfërinë, për korrupsionin galopant, për spitalet ku njerëzit vdesin pa shërbim, për faturat e kripura të energjisë, për të rinjtë që ikin nga vendi, për pensionistët që vdesin të vetëm në shtëpitë e tyre. Jo! Protesta është për një aplikacion...

Kjo ngre pyetjen e madhe: A është Berisha ende një opozitar i vërtetë apo thjesht një marionetë e Ramës? Sepse nëse vërtet do të ishte opozitë, do të duhej të ishte në rrugë çdo ditë kundër qeverisë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë. Por jo, ai zgjedh të "luftojë" për TikTok.

Kush përfiton nga kjo? Edi Rama, sigurisht. Një opozitë që i shmang temat e vërteta është dhurata më e bukur për çdo autokrat. Ndërsa Serbia ngrihet kundër Vuçiçit, në Shqipëri Berisha i jep Ramës një alibi të artë: një opozitë qesharake, që nuk përbën më kërcënim real për qeverinë.

Ndaj, pyetja e vërtetë nuk është pse Berisha po proteston për TikTok. Pyetja është: Pse ai nuk po proteston kundër Ramës? Përgjigjen ndoshta e di vetëm ai. Ose ai që e kontrollon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit