Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të rinjve që të protestojnë kundër mbylljes së platformës TikTok, duke e cilësuar atë si një akt censurimi. Protesta e thirrur nga opozita është planifikuar të zhvillohet sot në orën 19:00, para godinës së Kryeministrisë, me një kohëzgjatje prej dy orësh.
Policia ka marrë masa të rrepta sigurie, duke vendosur rreth 1,200 efektivë në terren, përfshirë forcat RENEA dhe Gardën e Republikës. Gjatë protestës do të bllokohen rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa do të vendosen kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar protestuesit e dhunshëm.
Policia ka urdhëruar që efektivët të mos provokohen nga protestuesit dhe të mbajnë nën vëzhgim personat që kanë kryer akte dhune në protestat e mëparshme. Për sigurinë e tyre, ata do të jenë të pajisur me maska kundërgaz, ndërsa institucionet e rëndësishme do të ruhen nga Garda e Republikës.
“Të protestojmë kundër censurës. Edi Rama censuron, TikTok, mjetin aktualisht më modern, bazuar fund e krye në intolerancën ndaj tij, të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit, gjimnazistët dhe të rinjtë e tjerë se më datë 12 TikTok do ta kenë në telefonat e tyre. Do ndëshkohet rëndë për megakrim të masave gjigante për këtë akt. Të lënë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë, të protestojmë nesër në orën 19:00 në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, të gjithë të rinjtë. Ju kalorës mbrojtës të saj, të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre”, tha Berisha.
Vendimi i qeverisë u sulmua menjëherë nga opozita si akt censure para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në reagimin e asaj kohe Berisha tha se “në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij”,tha Berisha në një deklaratë për mediat.