Situata me sigurinë ushqimore në vend po bëhet gjithnjë e më alarmante. Pas rasteve të shumta të produkteve të kontaminuara që kanë hyrë në tregun shqiptar, një tjetër skandal i rëndë është zbuluar: 985 kg acuge e kriposur është futur në vendin tonë me praninë e parazitit L3 Anisakis, një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Ky parazit mund të shkaktojë infeksione të rënda në traktin gastrointestinal dhe komplikacione të tjera, veçanërisht për ata që konsumojnë produkte deti të papërpunuara.
Por ky nuk është i vetmi rast shqetësues. Në të njëjtën kohë, raportohet se janë zbuluar edhe 4516 kg fileto derri të importuara nga Brazili me praninë e bakterit Salmonella spp, një mikroorganizëm që mund të shkaktojë diarre të fortë, ethe dhe dhimbje të mëdha abdominale.
Ky është vetëm një nga shumë skandale të sigurisë ushqimore të zbuluara kohët e fundit. Kontrolli mbi produktet e importuara duket se është tepër i dobët nga AKU-ja e drejtuar nga Olsi Komici.
Disa nga rastet e tjera të njohura, ku produkte të rrezikshme janë futur në tregun shqiptar:
-1535 kg mish pule të kontaminuar me salmonelë u zbuluan në restorantin të njohur të ushqimit të shpejtë, KFC, por vetëm 177 kg u asgjësuan, duke ngritur dyshime për fatin e pjesës tjetër. -13.2 ton akullore të kontaminuara me oksid etileni, një substancë kancerogjene, u gjetën në treg dhe mund të jenë konsumuar nga qytetarët. -Mijëra thasë mielli të ndotur u zbuluan, por nuk pati asnjë reagim nga institucionet. -Mandarina me pesticide të ndaluara u kapën në dhjetor 2024, duke treguar edhe njëherë mungesën e kontrollit mbi produktet bujqësore.
Pavarësisht se AKU pretendon se "në tregun shqiptar nuk është hedhur peshk me parazit dhe mish me salmonelë", fakti që mijëra kilogramë produkte të rrezikshme kanë hyrë në vend dhe vetëm një pjesë e tyre është asgjësuar, lë hapësirë për dyshime të forta mbi transparencën dhe efektivitetin e kontrolleve të institucionit.
Ekspertët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga SPAK për të zbuluar zinxhirin e korrupsionit, që lejon hyrjen e këtyre produkteve të rrezikshme në tregun shqiptar.