Pas aksidentit dramatik të shkaktuar nga 34-vjeçari i dehur, i cili përplasi disa makina dhe rrezikoi jetën e qytetarëve dhe policëve, një tjetër ngjarje tronditëse ka ndodhur në Vlorë mbrëmjen e sotme.
Kësaj here protagoniste është bërë një 35-vjeçare e alkoolizuar, e cila ka dhunuar fëmijën e saj 5 muajsh, duke e përplasur disa herë në trotuar.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, ku kalimtarët e tronditur kanë njoftuar Policinë pas skenave të rënda që po ndodhnin para syve të tyre. Kur forcat e rendit kanë ndërhyrë për t’i marrë fëmijën, gruaja ka kundërshtuar me forcë, duke bërë rezistencë ndaj efektivëve.
Fatmirësisht, foshnja është shoqëruar menjëherë në spital, ku mjekët kanë konstatuar se nuk ka dëmtime të dukshme, por janë kryer skanime për të verifikuar nëse ka dëmtime të brendshme.
Nëna e alkoolizuar, e cila rezulton e divorcuar, është shoqëruar nga Policia dhe po merret në pyetje për rrethanat e ngjarjes.
Brenda pak orësh, dy episode të rënda të shkaktuara nga persona nën efektin e alkoolit kanë tronditur Vlorën. Në njërin rast, një burrë i dehur vuri në rrezik jetën e dhjetëra qytetarëve me makinën e tij, ndërsa në rastin tjetër, një nënë në gjendje të rënduar sulmoi fëmijën e saj.
Këto ngjarje ngre shqetësime të mëdha mbi sigurinë publike dhe nevojën për masa më të rrepta ndaj abuzimit me alkoolin.