Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14.03.2025, 22:03
Një skandal tronditës ka përfshirë Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), pasi disa drejtues të tij dyshohen për bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar dhe shitje të informacioneve konfidenciale.
Sipas burimeve nga inteligjenca shqiptare për mediat, këto dyshime kanë detyruar drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, të kryejë një ristrukturim urgjent në drejtorinë e një qarku të njohur për ngjarje të rënda kriminale.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve:
- D. B., që drejtonte këtë njësi, është shkarkuar dhe do të shërbejë si inspektor terreni në Tiranë.
- A. S., ish-nëndrejtor i SHISH në Fier, është emëruar në vendin e tij.
- L. E., që për vite drejtoi sektorin e narkotikëve dhe ka një dosje në Drejtorinë e Sigurisë së Personelit për lidhje të dyshimta me grupe kriminale në Shkodër, është transferuar në një detyrë tjetër, larg mbledhjes së informacionit për narkotikët.
- A. C., ish-drejtor i kësaj drejtorie, i transferuar vitin e kaluar në Aparatin Qendror të SHISH në Tiranë, është degraduar në postin e një inspektori të thjeshtë.
Ky ristrukturim tregon një përpjekje të SHISH për të pastruar rradhët e tij nga ndikimet kriminale dhe për të forcuar besueshmërinë e institucionit. Megjithatë, ngrihen pikëpyetje të mëdha mbi shkallën e infiltrimit të krimit të organizuar në strukturat e inteligjencës shqiptare.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.