Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.03.2025, 20:14
Një grabitje me thikë ndaj futbollistit nigerian Sodiq Atanda u raportua në media mbrëmjen e sotme në Vlorë.
Fillimisht u raportua se futbollisti i Flamurtarit ishte sulmuar dhe grabitur, por klubi vlonjat ka sqaruar se fatmirësisht mbrojtësi 31-vjeçar nuk ka pësuar dëmtime dhe gëzon shëndet të plotë.
Ndërkohë, sipas policisë, qendërmbrojtësi ka mbetur i dëmtuar lehtë në dorë, pasi është goditur nga një 21-vjeçar, që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Sodiq Atanda është një emër i njohur i futbollit shqiptar, ku ka fituar dhe një kampionat dhe një kupë, teksa është aktivizuar me ekipe si Partizani, Egnatia, Erzeni dhe Apolonia.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur “Kali i Trojës”, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka mbetur i dëmtuar lehtë në dorë, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasi S. A., 31 vjeç, me origjinë nigeriane. Pas marrjes së mjekimit në spital, 31-vjeçari është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin për rastin.
Falë veprimeve të shpejta të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. B., 21 vjeç. Vijon puna për kapjen e tij, i cili paraprakisht dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR