Në Korenë e Jugut qytetarët kanë krijuar një “burg artificial” për t’u çliruar nga stresi. Rregullat janë precize: pa telefon dhe pa orë dore. Të gjithëve u jepen një palë tuta blu, një tapet për joga, një ibrik me çaj, një stilolaps dhe një bllok shënimesh. Të burgosurit flenë në tokë dhe qelia ka një banjo të vogël pa pasqyrë. Menuja e ngrënies përfshin patate të ëmbla në avull në drekë, banane në darkë, ndërsa për vaktin e mëngjesit, kupa orizi.
Në “burgun artificial” hyhet vullnetarisht për t’i shpëtuar stresit. Ai është krijuar në 2013-ën dhe quhet “burgu brenda meje”, në zonën e Hongcheo dhe ka pritur deri tani rreth 2.000 persona: studentë dhe punëtorë.
Të vetë-burgosurit thonë se ky burg u jep ndjesinë e lirisë që u mungon jashtë tij. Sipas të dhënave zyrtare, në 2017-ën koreano-jugorët kanë punuar mesatarisht 2.024 orë, duke zënë vendin e tretë në nivel global pas Meksikës dhe Kosta Rikës. Për t’i ndihmuar njerëzit që të punojnë më pak dhe të fitojnë më shumë, qeveria ka rritur pagën minimale, dhe ka ulur orarin maksimal javor nga 68 në 52 orë pune.