Pagat e ulëta në bujqësi, industri dhe shërbime largojnë fuqinë punëtore

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 14.03.2025, 15:42

Sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, si bujqësia, industria, shërbimet dhe ndërtimi, po përballen me mungesë të lartë të punonjësve dhe nivele të ulëta pagash. Pavarësisht se punësojnë rreth gjysmën e popullsisë dhe kanë një ndikim të madh në rritjen ekonomike, këta sektorë vazhdojnë të mbeten ndër më pak të paguarit.

Punësimi në sektorin e bujqësisë ka rënë me 2.3%, në shërbime me 0.9% dhe në industri me 2.4%. Bujqësia, ku është e punësuar rreth 40% e popullsisë, ofron pagat më të ulëta, me një mesatare prej 54,400 lekësh bruto, përfshirë kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Punonjësit e industrisë, shërbimeve dhe ndërtimit paguhen rreth 67,000 lekë në muaj, një nivel që mbetet larg pagës mesatare kombëtare.

Pagat e ulëta dhe kushtet e pasigurta të punës po nxisin largimin e të rinjve nga këta sektorë dhe emigrimin masiv. Sektori i fasonerisë, dikur një nga degët kryesore të industrisë prodhuese, është prekur nga rënia e eksporteve, çka ka sjellë reduktim të vendeve të punës dhe mungesë investimesh.

Gjithashtu, niveli i lartë i informalitetit në këta sektorë bën që shumë paga të deklaruara të mos pasqyrojnë realitetin. Fitimet e bizneseve mbeten të larta, ndërsa pagat për punonjësit mbeten të ulëta. Në këtë kontekst, fuqia punëtore mbetet e pambrojtur dhe pa motivim për të qëndruar në vend.

Faktorët kryesorë që mund të ndihmojnë në mbajtjen e punonjësve në vend përfshijnë përmirësimin e pagave, sigurimin e stabilitetit dhe kushteve më të mira të punës. Megjithatë, pa një strategji të mirëfilltë për rritjen e produktivitetit dhe reduktimin e informalitetit, këto sektorë do të vazhdojnë të përballen me vështirësi dhe emigrim të fuqisë punëtore.

Sipas raportit të vitit 2024 të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare ka emigruar jashtë vendit, duke dëshmuar tendencën e vazhdueshme të largimit për shkak të kushteve të pafavorshme në tregun e punës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit