Qeveria u llogarit hoteleve ‘numrin minimal’ të turistëve, refuzon deklarime taksore nën 65% të kapacitetit

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 14.03.2025, 13:49

Qeveria shqiptare ka vendosur t’u caktojë hoteleve numrin e turistëve që ata presin mesatarisht çdo sezon, dhe masën respektive të taksave që duhet të paguajnë.

Duket se trumpetimi i ‘rritjes së turizmit’ nga zyrtarët ka pasur qëllim rritjen e të ardhurave në buxhetin e qeverisë dhe jo atë të shqiptarëve, teksa për verën që vjen qeveria llogarit nivelin minimal të shfrytëzimit të strukturave akomoduese në 65% të kapacitetit.

Pra edhe nëse hotelet kanë më pak klientë se ata që llogarit qeveria, do të paguajnë taksa njëlloj sikur t’i kishin.

Nën këtë shifër tashmë nuk mund të deklarohet shfrytëzim akomodimi edhe pse frekuentimi i hoteleve ka ndryshime të mëdha në varësi të zonave, kushteve apo vendndodhjeve.

Kryeministri Edi Rama justifikonte më herët vendimin duke thënë se “hotelet aktualisht po mashtrojnë shtetin dhe nuk deklarojnë numrin real të lientëve”, për të mos paguar taksat.

Periudha e shfrytëzimit është e ndarë në dy faza sezonale, atë verore ku shfrytëzimi i hoteleve është llogaritur në minimalisht 65% të kapacitetit, dhe pjesa tjetër e vitit kur frekuentimi i hoteleve është llogaritur në minimalisht 30 për qind te kapacitetit.

“Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara përgjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe”, thuhet në vendimin e qeverisë, ku shtohet se ashpërsimi i kritereve taksore vjen për shkak të informalitetit në sektorin e turizmit, pasi hotelet "edhe pse janë plot në pikun e sezonit turistik, ata deklaronin se po shfrytëzojnë 50 ose 60% të kapacitetit."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit