Herët në mëngjes më 10 gusht 2018, Safet Bajri, i njohur si "i forti i Dobracit", u nis nga Tirana së bashku me të dashurën e tij, E.A., një ish-miss, dhe Astmer Bilalin, me planin për të ekzekutuar Fatbardh Licin.
Rreth orës 06:11 ata mbërritën në Lezhë dhe më pas udhëtuan drejt Shkodrës. Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Safet Bajri dhe Astmer Bilali morën një automjet të vjedhur dhe u afruan pranë lokalit që Sokol Lici kishte marrë me qira. Ky lokal ishte vendi ku çdo mëngjes qëndronte Fatbardh Lici, vëllai i Sokolit.
Pasi u siguruan që shënjestra ndodhej në lokal, autorët hapën zjarr me breshëri kallashnikovi, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, automjeti u largua në drejtim të Dobracit dhe hyri në një rrugicë që të çon te lokali i Bajrave, ku dyshohet se ka zbritur Safet Bajri.
Më pas, Astmer Bilali dogji automjetin që ishte përdorur për kryerjen e krimit, ndërsa rreth njëzet minuta më vonë, E.A., e dashura e Safet Bajrit, drejtoi një tjetër automjet me të cilin grupi u largua. Gjatë hetimeve, ajo deklaroi para autoriteteve se ndodhej në Tiranë në momentin e vrasjes, por pamjet filmike e kundërshtuan këtë dëshmi, duke e shfaqur në Shkodër vetëm 20 minuta pas atentatit. Për këtë arsye, SPAK lëshoi urdhër-arresti ndaj saj, duke e vënë në pranga me dyshimet se kishte krijuar kushte për kryerjen e vrasjes dhe kishte përkrahur autorët e krimit.
Hetuesit dyshojnë se ajo kishte dijeni për ngjarjen. Sipas SPAK, konflikti kishte nisur më herët, kur Behar Bajri ishte përplasur me Ibrahim Licin dhe Astmer Bilalin. Vrasja e Fatbardh Licit dyshohet se ishte një akt hakmarrjeje, pasi grupi i Bajrave besonte se Ibrahimi kishte vrarë mikun e tyre, Boran Bërcana, së bashku me partneren e tij, Silvi Ndoci. Boran Bërcana, nga ana tjetër, dyshohej si autor i një atentati me tritol ndaj Pellumb Kullës, dhëndrit të Licëve.
Bërcana kishte lidhje të ngushta me Gjin Ndojin, i cili sipas SPAK, u vra nga Behar Bajri. Ndërkohë, autoritetet kanë zbardhur rolin e Safet dhe Behar Bajrit, si dhe të Astmer Bilalit në vrasjen e Fatbardh Licit. Ata u identifikuan përmes kamerave të sigurisë në qytet, të cilat kanë fiksuar çdo lëvizje të tyre.
Pamjet filmike dhe provat e mbledhura nga hetuesit kanë forcuar bindjen se Safet dhe Behar Bajri, së bashku me Astmer Bilalin, janë autorët e ekzekutimit.