Një 33-vjeçar nga Lezha, Valentin Kovaçi, është arrestuar nga policia pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë dhe ngacmim seksual.
Kovaçi ishte në arrati që nga 7 marsi 2025, pas një denoncimi të bërë nga një 30-vjeçare, e cila raportoi se ai i kishte rrëmbyer me forcë çantën e dorës, ku ndodheshin sendet e saj personale, dhe kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë.
Pas disa javësh kërkimesh, ai u lokalizua në zonën e Kalasë së Lezhës, ku ishte fshehur në një shpellë, me qëllim që të shmangte arrestimin. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale një portofol dhe dy telefona celularë, të cilët dyshohet se janë të vjedhur.
Operacioni policor, i koduar "Cave", u organizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, të cilët, në bazë të informacioneve të siguruara, arritën të finalizojnë arrestimin e tij.
Materialet në lidhje me këtë rast i janë dorëzuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.