Kompania e njohur kozmetike L’Oréal S.A. ka lëshuar një urdhër tërheqjeje për të gjitha seritë e kremit kundër akneve Effaclar Duo, për shkak të shqetësimeve që produkti mund të përmbajë benzene, një substancë e njohur për efektet e saj kancerogjene. Ky vendim vjen pas zbulimeve të një laboratori të pavarur që paralajmëroi për rreziqet e mundshme të përbërjes së kremrave me benzoil peroksid.
Rreth një vit më parë, Valisure, një laborator i pavarur testimi në Connecticut, ngriti shqetësime mbi faktin se disa produkte kundër akneve, duke përfshirë edhe ato të L’Oréal, mund të përmbajnë nivele të larta të benzenit. Sipas analizave të tyre, produktet me benzoil peroksid, si Effaclar Duo, mund të gjenerojnë nivele të rrezikshme të benzenit, sidomos kur ekspozohen ndaj temperaturave të larta gjatë magazinimit dhe përdorimit nga konsumatorët.
Laboratori Valisure i kërkoi Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) që të ndërmerrte masa duke nxjerrë një rregullore të re, duke rishikuar udhëzimet për produktet me benzoil peroksid dhe duke urdhëruar tërheqjen e tyre nga tregu. Megjithatë, FDA nuk ndërmori ndonjë veprim konkret, përveçse lëshoi një përgjigje të përkohshme, duke thënë se do të shqyrtonte më tej raportin e Valisure.
Kompania L’Oréal tregton Effaclar Duo përmes markës së saj franceze La Roche-Posay, dhe e shet atë me çmimin 35.99 dollarë si një nga trajtimet më të mira kundër akneve. Sipas përshkrimit në faqen zyrtare të kompanisë, kremi siguron rezultate të dukshme brenda më pak se tre ditësh.
Pas shqetësimeve të ngritura nga Valisure, L’Oréal vendosi të tërheqë nga tregu të gjitha njësitë e mbetura të formulës aktuale të Effaclar Duo. Në një deklaratë për Bloomberg, kompania tha:
"Në koordinim të ngushtë me FDA-në, kemi vendosur në mënyrë proaktive të tërheqim njësitë e mbetura të formulës aktuale të Effaclar Duo nga shitësit me pakicë."
Sipas raportit të Valisure, produktet që përmbajnë benzoil peroksid janë kimikisht të paqëndrueshme dhe mund të prodhojnë nivele të larta të benzenit, sidomos kur ruhen në temperatura të larta gjatë transportit apo në raftet e dyqaneve.
Produkte të tjera të rrezikshme në treg
Përveç Effaclar Duo, Valisure ka zbuluar nivele të rrezikshme të benzenit edhe në produkte të tjera kundër akneve, si Proactive, të cilat shiten në zinxhirë të njohur si Target dhe CVS Health Corp.. Studimet kanë treguar se benzene nuk është i pranishëm vetëm në produktet kundër akneve, por edhe në kremrat e diellit, deodorantët, shampon e thatë dhe dezinfektuesit e duarve.
Shqetësimet mbi benzene janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi është një substancë e njohur për lidhjen e saj me leuçeminë dhe sëmundje të tjera të gjakut. Ndërkohë që FDA ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi produktet me benzoil peroksid, tërheqja e Effaclar Duo është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorëve nga ekspozimi ndaj një substance të rrezikshme për shëndetin.