Punonjësit aktualë rrezikojnë të mbeten pa pensione në pleqëri, pasi shumë punëdhënës, përfshirë edhe entet publike, nuk paguajnë sigurimet shoqërore. Kjo situatë ka çuar në rritjen e borxhit në këtë sektor vit pas viti.
Sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin 2024, borxhi tatimor nga sigurimet shoqërore të papaguara arriti në 24.4 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 8.4%. Kjo rritje progresive bie ndesh me angazhimin e qeverisë, e cila vitin e kaluar ndërmori një fushatë për të luftuar punësimin informal si pjesë e reformës për skemën publike të pensioneve.
Ndërkohë që pensionistët shqiptarë marrin pagesat më të ulëta në rajon, shumë më poshtë minimumit jetik, borxhet e papaguara nga bizneset dhe entet publike vijojnë të rriten. Ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksojnë se ky borxh ka pasoja të shumta, pasi ndikimi negativ i tij është shumë më i madh sesa thjesht mospagesa e një takse. Përveç dëmeve financiare, krijohen edhe pasoja të rënda sociale për qytetarët.
Në vitin 2014, qeveria Rama 1 gjeti një borxh prej 9 miliardë lekësh nga sigurimet e papaguara gjatë qeverisjes së mëparshme. Pas kësaj, u miratuan disa ligje dhe rregulla për të ndaluar krijimin e borxheve të reja, por të dhënat e fundit tregojnë se nga viti 2014 deri në 2024, borxhi i sigurimeve shoqërore është rritur me 171%. Ky borxh i përket si sektorit privat, ashtu edhe institucioneve shtetërore dhe pushtetit lokal.
Ndërsa bizneset përballen me bllokimin e llogarive bankare nëse nuk paguajnë detyrimet, për institucionet publike situata është ndryshe. Llogaritë bankare të ndërmarrjeve shtetërore, si ujësjellësit, nuk mund të bllokohen lehtë për shkak të rolit të tyre strategjik. Kjo ka çuar në një tolerancë të institucionalizuar, pasi shteti supozohet se do të shlyejë këto detyrime në një moment të dytë.
Ligji i procedurave tatimore lejon pagesën me këste për disa detyrime tatimore të bizneseve, por kjo nuk vlen për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Administrata tatimore nuk mund të lidhë marrëveshje për pagesë me këste për kontributet e sigurimeve, të cilat mbeten një barrë e rëndë për punonjësit dhe një kërcënim serioz për pensionet e ardhshme.