Shqiptarët i korruptuan, punonjësit e Zyrës së Emigracionit përfundojnë në pranga

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.03.2025, 17:51

Një skandal i madh ka shpërthyer në Zyrën e Administratës së Qarkut (KVR) të Mynihut, ku hetimet janë duke u zhvilluar për gjashtë punonjës të dyshuar të korrupsionit. Ata janë akuzuar për marrjen e ryshfetit, duke lëshuar leje qëndrimi dhe certifikata fiktive për të huaj, në këmbim të parave dhe sendeve të tjera.

Sipas informacionit të siguruar nga BILD, hetimet kanë zbuluar se punonjësit e dyshuar janë paguar me të paktën 150 euro secili për çdo leje qëndrimi të lëshuar në mënyrë të paligjshme. Hetimet e drejtuara nga autoritetet gjermane përfshijnë kontrollin e zyrave dhe banesave private të punonjësve të dyshuar, duke çuar në arrestimin e pesë prej tyre, përfshirë edhe një ndërmjetës që dyshohet se ka ndihmuar në rrjedhjen e parave.

Sipas hetimeve, skema e korrupsionit ka filluar në vitin 2022, kur shtatë persona kanë krijuar një plan për të mundësuar që të huaj të qëndronin në Gjermani pa pasur të drejtë. Ata përdorën punonjësit e KVR-së për të lëshuar certifikata të rreme dhe leje qëndrimi për refugjatët. Krimet e dyshuara përfshijnë gjithashtu dhënien e artikujve luksozë si bileta, udhëtime me limuzinë dhe çanta dore si shpërblime për shërbimin e ofruar.

Në total, hetimet kanë identifikuar 32 raste të dyshuara të korrupsionit, përfshirë lëshimin e lejeve të rreme të qëndrimit për qytetarët nga Ballkani, kryesisht kosovarë, shqiptarë dhe maqedonas. Në shumicën e rasteve, punonjësve të KVR-së u janë paguar 150 euro për secilën veprimtari të paligjshme.

Prokuroria po heton gjithashtu për një skemë më të gjerë që lidhet me kontrabandën dhe falsifikimin e dokumenteve, ndërkohë që departamenti i administratës së qarkut të Mynihut ka theksuar angazhimin e tij për një "politikë të tolerancës zero" ndaj korrupsionit. Pas bastisjes, autoritetet kanë kërkuar nga hetuesit që të vazhdojnë me hetimet për të zbardhur të plotë këtë skandal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit