Adelina, një nënë e katër fëmijëve që jeton në Itali, ka zbuluar një histori tronditëse abuzimi dhe manipulimi, pas një ngjarjeje traumatike që ka ndodhur katër vjet më parë. Ajo flet për tentativën përdhunimi nga një koleg dhe për mënyrën se si drejtësia italiane është munduar të fshehë rastin e saj.
Historia e saj fillon kur, pas disa mosmarrëveshjeve me bashkëshortin, Adelina ishte në prag të divorcit dhe pranoi të dalë me një koleg të punës. Pas një udhëtimi me makinë që kolegu i kishte ofruar, ai e çoi në shtëpinë e tij, ku ai tentoi ta përdhunonte.
Pas disa ditësh, Adelina mësoi se një video e saj private po qarkullonte në rrjetet sociale. Ajo u detyrua të denoncojë ngjarjen, por, ndonëse bëri denoncimin, drejtësia italiane nuk i dha mbështetje. Agresori ka mbetur i lirë për katër vjet, ndërsa Adelina po lufton për të marrë drejtësi.
Ajo tentoi vetëvrasjen! Gjatë trajtimit në spital, i janë dhënë ilaçe për skizofreni me qëllim që të deklarohet e çmendur, dhe kështu prokuroria të mos e merrte parasysh deklaratën e saj. Adelina ka refuzuar ofertat për para që i janë ofruar për të mbyllur çështjen, dhe ka zbuluar se ka një kartelë tek një mjeke psikiatre për vizita që nuk i ka kryer kurrë, duke ngritur dyshime se dikush po mundohet ta manipulojë për të fshehur të vërtetën.
Edhe pas katër vitesh, Adelina vazhdon të ndihet e kërcënuar nga persona të afërm të kolegut, duke bërë që ajo të frikësohet për sigurinë e saj dhe të fëmijëve të saj. "Kam tentuar të vras veten kur ndodhi kjo," ka thënë ajo, duke treguar pasojat shkatërruese të këtij abuzimi dhe të dështimit të sistemit të drejtësisë për t'i dhënë asaj mbështetje.
Kjo histori tregon një realitet të hidhur për shumë viktima të dhunës seksuale dhe manipulimeve që ndodhin pas një ngjarjeje të tillë. Adelina po lufton për të gjetur drejtësi, edhe pse ndjen një barrë të rëndë të frikës dhe pasigurisë.