Në një shkresë të fundit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka kërkuar nga operatorët e internetit që të marrin masa të menjëhershme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale në Shqipëri. Kjo kërkesë është bërë në kuadër të një vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 6 mars 2025.
Sipas shkresës së AKSK-së, disa masa të menjëhershme duhet të merren për të bllokuar IP-të, DNS-të dhe SNI-të (Server Name Indications) që lidhen me TikTok, si dhe IP-të e kompanisë ByteDance, e cila është pronar i aplikacionit. Këto masa janë të detyrueshme për të gjithë operatorët dhe sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike në Shqipëri, sipas ligjit "Për komunikimet elektronike" dhe rregulloreve përkatëse.
Në shkresën e AKSK-së citohet se operatorët duhet të veprojnë për mbylljen e aksesit deri më 13 mars 2025 dhe të konfirmojnë në AKEP dhe AKSK se këto masa janë zbatuar.