Ndotja e ajrit, pensionet e ulëta dhe kontratat e punës po bëhen faktorë të rinj që nxisin emigracionin nga Shqipëria. Megjithatë, sipas një ankete të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, tre arsyet kryesore të largimit mbeten pagat më të larta, një jetë më e mirë për fëmijët dhe shërbime më cilësore shëndetësore.
Anketa evidenton një rritje të emigracionit të të moshuarve, të cilët po bashkohen me familjet e tyre jashtë vendit ose kërkojnë pensione më të mira. Po ashtu, largimet po bëhen gjithnjë e më të rregullta përmes kontratave të punës dhe bashkimeve familjare, me 20% të të anketuarve që tashmë kanë siguruar një vend pune. Gjermania mbetet destinacion kryesor, falë lehtësimit të kritereve për punësim në profesione me aftësi të ulëta.
Familjet emigrante po tërheqin gjithnjë e më shumë të afërmit e tyre, ndërsa 31% e atyre që planifikojnë të largohen e bëjnë për bashkim familjar. Gjithashtu, ndotja dhe cilësia e ajrit po bëhen faktorë të rëndësishëm, me 13% të të anketuarve që përmendin klimën si arsye për emigracion.
Shqipëria rrezikon një tkurrje të mëtejshme të popullsisë, pasi 28% e qytetarëve kanë plane për t’u larguar. Nga këta, 67% mbështeten tek rrjetet familjare dhe miqësore për t’u vendosur jashtë vendit.