Një tjetër rast ankesash ndaj kompanisë ajrore Wizz Air ka ardhur në redaksinë tonë, ku një pasagjer denoncon një ndryshim të papritur të biletës së tij të prenotuar dy muaj më parë.
Sipas denoncueses, ajo kishte rezervuar një biletë për në Londër për datën 21 mars, duke përfituar nga një çmim i ulët prej 40 eurosh, meqë e kishte siguruar me kohë, duke marrë parasysh edhe ndeshjen Shqipëri–Angli që do të zhvillohej atë ditë. Megjithatë, sapo ka nisur muaji mars, ka marrë një email nga kompania ajrore që e njoftonte se fluturimi i tij ishte spostuar për dy ditë më herët, më 19 mars.
Ndërkohë, ajo ka vënë re se bileta për të njëjtën datë fillestare (21 mars) vazhdonte të shitej, por me një çmim pesë herë më të lartë, duke arritur në 250 euro.
Gjithashtu, ajo thotë se ka tentuar të bëjë një rebooking sipas udhëzimeve të kompanisë, por sistemi e ka riplanifikuar automatikisht në 19 mars, pa i dhënë mundësinë të zgjedhë një orar tjetër më të përshtatshëm në datën e dëshiruar.
Për të mos humbur udhëtimin, ajo ka qenë e detyruar të blejë një biletë tjetër me një kompani tjetër për të udhëtuar në datën që kishte planifikuar fillimisht.
Pasagjerja e cilëson këtë praktikë të Wizz Air si një mashtrim, duke akuzuar kompaninë se anulon biletat e blera me çmime të ulëta për t’i rishitur më shtrenjtë, duke përfituar nga kërkesa e lartë për shkak të ngjarjeve të rëndësishme. Sipas tij, kompania duhet t’i vendoste biletat me çmim real që në fillim, në vend që të aplikonte këto ndryshime të papritura, të cilat e detyrojnë pasagjerin të paguajë shumëfish më tepër për të njëjtin fluturim.
Këto ankesa nuk janë të izoluara, pasi praktika të ngjashme janë raportuar më parë nga pasagjerë të tjerë.
Mesazhi i plotë:
“Edhe une doja te denoncoja nje rast me Wizz! Kisha prere bileten per ne Londer para dy muajsh ne vlere 40€ meqe ishte ndeshja Shqiperi Angli e dija daten e sakte dhe e bera bileten kohe me pare! Sapo hyme ne muajin mars me vjen email nga wizz qe bileta per dt 21 mars do shkoj ne dt 19 mars, nderkohe bileten e kishin ne shitje ne vlere 5 fish nga 40 euro kishte shkuar 250€ ! Perfundova duke blere bilete tjeter me nje kompani tjeter me datat qe doja une jo ato qe donte wizz Po ma kerkoi te beja rebook dhe e bera me nje orar tjeter te asaj dite por ma beri automatikisht ne 19 nuk mori dt 21 me orar tjeter Shife sa shkoi bileta ime qe e kisha blere 40€ vajtje ardhje Kane mbetur vipat e leshit pa bileta qe kujtohen nje jave para ata se jane rripa Dhe wizz qe eshte hajdut ka thene ti zbyth pak keta me 40€ dhe te fitoj me shume Wizz me mire ti nxjerr qe ne fillim me cmim te larte duke e ditur qe ka ndeshje ate date Jo nga keto palaçolliqe Ata jane per tu paditur po kush ja ka ngene aman se jemi neper punera”.