48 për qind e fëmijëve shqiptarë në 6 vjeç janë të rrezikuar nga varfëria, thuhet në një raport të fundit të Bashkimit Evropian për vitin 2023, duke shtuar se fëmijët shqiptarë në rrezik të varfërisë janë më shumë se dyfishi i mesatares se BE prej 23,5%.
Sipas llogaritjeve të Eurostat, fëmijët konsiderohen të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social, nëse ata jetojnë në familje me të ardhura që janë më pak se pragu 60 % i të ardhurave mesatare kombëtare.
Gjithashtu ata konsiderohen në rrezik të varfërisë nëse vuajnë nga privimi i rëndë material dhe social, që do të thotë se familjet e tyre nuk munden të përballojë të paktën 7 nga 13 nevoja bazë për një jetesë normale.
Këto nevoja sipas Eurostat, përfshijnë ngrohjen në banesë, mundësia për të blerë rroba të reja, të kenë dy palë këpucë të përshtatshme dhe te kenë mundësi të kalojnë të paktën një javë pushime larg shtëpisë.
BE vlerëson se mes fëmijëve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, gjen familje që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar ose që jetojnë me një prind, ose fëmijë që kanë prindër me paga të ulëta ose të papunë.
Krahasimi i Bashkimit Europian tregoi se Shqipëria kryesoi renditjen për nivelin e lartë fëmijëve në rrezik të varfërisë, e ndjekur nga Turqia dhe Mali i Zi.
Ndër shtetet anëtare të BE, në vitin 2023 përqindjet më të larta të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë e kishte Rumania 35.3%, Bullgaria 34,2% dhe Spanja 34,1%.
Sllovenia është e vetmi vend europian që regjistron më pak se 10% të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.
Në Çeki, Kroaci, Luksemburg, Holandë, Poloni, Finlandë dhe Norvegji 12-15% të fëmijëve nën 6 vjeç jetojnë në rrezik të varfërisë.
Të dhënat tregojnë se përqindja e fëmijëve në moshën 0–5 vjeç që përballet me varfërinë ose përjashtimin social në përgjithësi ka rënë në shumicën e vendeve evropiane që nga viti 2015. Serbia dhe Rumania spikasin me ulje prej 15.3 dhe 14.4 pikë përqindjeje përkatësisht secila .
Ndryshe nga Shqipëria një numër i madh vendesh në Evropë promovojnë masa lehtësuese dhe mbështetje për familjet që po rrisin fëmijë, shton agjencia evropiane.