Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës ka kërkuar sot ndalimin e kreut të Republikës Serbe të Bosnies, Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviç dhe kryetarit të Parlamentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiç, me qëllim që të merren në pyetje mbi akuzat e shkeljes së kushtetutës me legjislacione separatiste.
Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që republikën serbe në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si “shtet të popullit serb”, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të anulojnë Këshillin e Popujve, që sipas zyrtarëve bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.
Ligji penal i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.
Asambleja e Republikës Sërpska parashihej të diskutojë sot më 12 mars draft-kushtetutën e re ku është shtuar një tjetër lëvizje secesioniste, që e distancon më tej republikën serbe të vendit nga dy presidencat e tjera, atë kroate dhe muslimane.
Ligjet janë etiketuar ‘jo-kushtetuese’ nga zyrtarët e tjerë dhe ata evropianë, dhe janë hedhur poshtë dhe nga gjykata kushtetuese e Bosnie Herzegovinës.
Dodik ka thënë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin "në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes tre entiteteve përbërëse".
Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet, shkruan REL.