Në një akt të pashembullt "bujarie", qeveria ka vendosur të shpërblejë besnikërinë e 530 punonjësve të administratës publike me kredi me 0% interes. Natyrisht, bëhet fjalë për ata punonjës që kanë kaluar filtrin e padukshëm, por shumë efikas, të përkatësisë së duhur politike.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili e përçoi mesazhin përmes një postimi në rrjetet sociale – një mënyrë moderne për të informuar të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur për një administratë më të qëndrueshme… për veten e tyre.
Në total, 90 vende janë rezervuar për punonjësit e Ministrisë së Brendshme dhe Arsimit, sepse sigurisht, më së shumti meriton strehim ai që kontrollon policinë dhe edukon brezat e rinj. 80 kuota janë të dedikuara për Ministrinë e Shëndetësisë, për ata që gjatë pandemisë zbatuan urdhra të pamendueshëm pa bërë pyetje. Pjesa tjetër ndahet ndërmjet ministrive të tjera dhe Kryeministrisë, ku secila ka nga 30 kuota për të shpërblyer më të devotshmit.
Për të përfituar, kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere standarde, si të mos kenë banesë në pronësi, të mos jenë përfitues të tjerë programesh sociale dhe të mos kenë pasuri mbi gjysmën e vlerës së banesës që duan të blejnë. Po kush e kontrollon këtë? Epo, për këtë ekziston sistemi i pikëzimit, një algoritëm misterioz që arrin gjithmonë të rendisë "të përzgjedhurit e natyrshëm" në vendet e para.
Nëse ndonjë qytetar i zakonshëm që punon prej vitesh në privat, pa benefite dhe me qira të larta, pyet veten “po unë pse nuk përfitoj nga këto kredi?”, përgjigjja është e thjeshtë: s’ke qenë në radhën e duhur në zgjedhje!
Ky është viti i dytë që qeveria shpërndan kredi të tilla, duke u siguruar që administrata të mbetet një bastion i palëkundur i besnikërisë. Në një vend ku qytetarët luftojnë me çmimet e rritura të banesave dhe një kredi bankare është një barrë për dekada, qeveria gjen mënyrën për t’u kujdesur për të vetët.
Në fund të fundit, një administratë e lumtur është një administratë e besueshme… sidomos kur vijnë zgjedhjet!