Kushëriri i Paulin Sterkajt fiton tenderin 500 mijë euro nga Bashkia Vlorë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.03.2025, 20:18

Bashkia Vlorë, e drejtuar nga kryetari Ermal Dredha, ka shpallur fituesin e një tenderi të rëndësishëm me vlerë rreth 500 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës "Pusi i Mezinit". Fituesi është shpallur kompania STERKAJ, në pronësi të Lulzim Sterkaj, kushëriri i deputetit socialist Paulin Sterkaj. Ky fakt ka ngritur dyshime mbi mënyrën e përzgjedhjes së fituesit dhe transparencën e procesit.

Tenderi, me numër reference REF-26563-10-28-2024, kishte një fond limit prej 49,744,339.25 lekë të reja pa TVSH, afërsisht 600 mijë euro me TVSH. Oferta fituese e kompanisë STERKAJ ishte 42,276,050.00 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 500 mijë euro me TVSH, duke përfaqësuar 85% të fondit limit.

Në tender morën pjesë gjithsej tetë kompani, por ajo që ka ngritur dyshime të mëdha është fakti se pesë nga ofertat e paraqitura ishin më të ulëta se ajo e kompanisë fituese, megjithatë u injoruan nga Bashkia Vlorë. Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit të përzgjedhjes dhe rrezikun e një tenderi të paracaktuar.

Një element kyç në analizën e këtij tenderi është proporcioni i ofertës fituese ndaj fondit limit. Në praktikat e zakonshme të prokurimeve publike, një ofertë që qëndron shumë pranë fondit limit, sidomos në kufirin 85%-100%, është shpesh indikator i një gare jo të mirëfilltë ose i një skeme ku fituesi dihet paraprakisht.

Fakti që pesë kompani të tjera ofruan çmime më të ulëta dhe nuk u morën parasysh sugjeron se vlerësimi nuk është bërë me standarde të drejta dhe konkurruese.

Përfshirja e një kompanie të lidhur me një figurë të njohur politike, siç është Paulin Sterkaj, në një tender të financuar nga fondet publike, është një tjetër element që shton dyshimet mbi legjitimitetin e procesit. Në të kaluarën, raste të ngjashme kanë qenë objekt i shqyrtimit nga institucionet e kontrollit dhe organet ligjzbatuese, pasi shpesh kanë rezultuar në kontrata të paracaktuara ku fituesi dihej që në fillim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit