Ia dhashë truallin me qira për dy muaj, qiraxhiu falsifikoi letrat dhe më kërkon 15.000 euro dëmshpërblim

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.03.2025, 17:44

Një qytetar nga Durrësi, që prej vitesh jeton në Itali, ka denoncuar një rast të padrejtësisë dhe abuzimit nga ana e Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në qytetin e Durrësit. Historia e tij ka filluar që në vitin 2017, kur ai kishte një truall në afërsi të Palzhit të Curilave, që e jepte me qira gjatë sezonit të verës për një periudhë të shkurtër.

Në vitin 2017, një djalë e ka marrë truallin me qira për të hapur një biznes të vogël, duke nënshkruar një kontratë me pronarin, por shumë shpejt janë shfaqur probleme. Djaloshi ka falsifikuar kontratën dhe ka kërkuar lejen për të hapur një lokal, një bar kafe, ndërkohë që në fund të sezonit, ka mbyllur dyqanin duke shpallur falimentin, duke deklaruar "0 lekë fitime" dhe një xhiro prej "400 mijë lekë".

Në vitin 2018, kur ka ardhur sezoni i ri, pronari i truallit ka kërkuar që t’ia jepte me qira dikujt tjetër, por djali i ka thënë se e kishte marrë me qira për dy vite dhe se ai nuk mund ta çonte më tej këtë marrëveshje. Çështja ka shkuar në gjykatë, por sipas denoncuesit, gjyqtari që ka pasur në dorë çështjen është i korruptuar. Ai ka lidhje familjare me personin që ka falsifikuar dokumentet, e cila ka bërë një ri-deklarim të rremë të investimeve dhe të ardhurave. Sipas këtyre dokumenteve, pretendimi ishte se investimi ishte 10 milionë lekë dhe të ardhurat 16 milionë lekë. Gjyqtari, duke pasur lidhje në KLD, ka pasur mundësi të ndikonte dhe asnjë nga organet e drejtësisë në Durrës nuk ka hapur çështje për zbardhjen e të vërtetës.

Në këtë histori futet edhe një ekspert që ka falsifikuar dokumentet, duke pretenduar se pronari kishte shkelur kontratën dhe duhej të paguante demshpërblim për shkeljen e marrëveshjes, si dhe të kompensonte investimet dhe shpenzimet e pretenduara të djalit. Sipas qytetarit, ka pasur dhe manipulim të ngjarjeve nga ana e familjarëve të djalit të cilët kanë përdorur lidhjet e tyre në polici për të fshehur edhe drogën që është gjetur në ambientet e lokalit.

Sot qytetarit nga Durrësi, personi në bashkëpunim me të tjerët, i kërkojnë 15.000 euro dëmshpërblim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit