Rrjeti SafeJournalists (SJN) dhe Media Freedom Rapid Response (MFRR) kanë reaguar ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për të mbyllur TikTok-un për 12 muaj, duke e cilësuar si një kufizim ekstrem të lirisë së shprehjes dhe aksesit në informacion.
Ata argumentojnë se një ndalim i plotë tejkalon parimin e proporcionalitetit dhe krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen shtetërore në të drejtat digjitale. Në vend të një mase kaq të gjerë, ata sugjerojnë alternativa si moderimi i përmbajtjes dhe verifikimi i moshës.
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës, ata shprehin shqetësim se ndalimi mund të kufizojë debatin publik dhe angazhimin politik të të rinjve dhe aktorëve të rinj politikë.
Gjithashtu, ata kritikojnë mungesën e transparencës në procesin vendimmarrës dhe nxisin qeverinë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin, duke zhvilluar konsultime gjithëpërfshirëse me aktorët e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.