Klima e biznesit në rajon, Shqipëria renditet e fundit

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 11.03.2025, 12:16

Gjatë periudhës 2020–2023, Kosova është vlerësuar si vendi me përparimin më të madh në përmirësimin e klimës së biznesit, ndërsa Shqipëria renditet e fundit. Këto vlerësime janë publikuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e cila, në bashkëpunim me Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike (WIIW), ka analizuar konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Sipas raportit të OECD, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë marrë një vlerësim mesatar prej 66 pikësh për politikat që lidhen me klimën e biznesit, duke arritur në 66% të standardeve të BE-së. Kosova ka performuar më së miri, duke shënuar 76 pikë, që përfaqëson 76% të nivelit të BE-së. Pas saj vijnë Mali i Zi me 74%, Serbia me 64%, dhe më pas Maqedonia e Veriut dhe Bosnja. Shqipëria, në anën tjetër, ka marrë vetëm 57 pikë, duke shënuar rënien më të madhe dhe duke arritur vetëm 57% të mesatares së BE-së.

Raporti vëren se konvergjenca e rajonit me BE-në për klimën e biznesit është përmirësuar me 5 pikë mes viteve 2023 dhe 2024. Megjithatë, ndërsa shumica e vendeve kanë bërë përparime apo kanë mbetur në të njëjtin nivel, Shqipëria ka shënuar regres. Në periudhën 2014-2016, Shqipëria kishte performancë më të mirë, por vitet e fundit ka humbur terren.

Një nga pikat më të forta të rajonit mbetet rritja e investimeve të huaja direkte (IHD), e cila ka ndihmuar në përshpejtimin e konvergjencës me BE-në. Po ashtu, gjatë dhjetë viteve të fundit, është bërë progres i rëndësishëm në uljen e kredive me probleme. Megjithatë, sfidat kryesore mbeten punësimi informal, dobësitë ligjore dhe niveli i lartë i korrupsionit.

Një tjetër problem i madh për bizneset është kostoja e lartë e operimit. Normat e interesit në rajon janë mesatarisht 1.4% më të larta se në BE, ndërsa kërkesat për kolateral mbeten më të ashpra. Gjithashtu, sektorët informalë dhe kompanitë e privilegjuara krijojnë konkurrencë të padrejtë për bizneset e ndershme.

Për më tepër, në ekonomitë me produktivitet të ulët dhe me tatime të larta mbi pagat, bizneset priren të nxisin punësimin joformal. Kontributet e sigurimeve shoqërore tejkalojnë 20% të të ardhurave bruto në të gjitha vendet e rajonit, përveç në Kosovë. Një tjetër pengesë për zhvillimin ekonomik mbeten barrierat jotarifore, të cilat kufizojnë tregtinë rajonale, dhe baza e ulët industriale, e cila pengon eksportet.

Për sa i përket tregtisë, vendet e Ballkanit Perëndimor eksportojnë më pak në raport me madhësinë e ekonomisë së tyre, megjithëse pak më shumë se mesatarja e BE-së. Ndërkohë, tregtia elektronike mbetet ende e pazhvilluar në shumë shtete të rajonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit