Mungesa e disiplinës në trafik është një epitet i përbashkët për shumë drejtues mjetesh në vendin tonë.
Për të shmangur radhët e gjata të trafikut, shumë drejtues mjetesh përdorin korsinë anësore të rrugës, duke kaluar mbi vijat e bardha dhe trotuarin, ose nuk qëndrojnë fare në radhë, dalin para të gjithëve pa të drejtë dhe bllokojnë edhe më tepër trafikun.
Ky fenomen, i cili po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në zonat me trafik të rënduar, kryesisht pranë rrethrrotullimeve dhe hyrje-daljeve nga zona të ndryshme, tregon një mungesë të theksuar të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.
Drejtuesit e mjeteve që respektojnë rregullat dhe presin me orë të tëra në trafik, kërkojnë ndërhyrjen e policisë për të shmangur veprime të tilla jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik, por edhe përkeqësojnë situatën, duke krijuar kaos dhe bllokime të mëtejshme.
Ata thonë se policia duhet të qëndrojë në këto pika kyçe trafiku dhe të shohë kush bën shkelje, ose të vendosë kamera, pasi nuk është e drejtë që shoferë të tillë të bëjnë këto shkelje dhe mos të ndëshkohen.