Një studim i ri ka zbuluar një lidhje të fortë mes shëndetit të zorrëve, konsumit të agrumeve dhe reduktimit të rrezikut të depresionit.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore BMC, thekson se një dietë mesdhetare lidhet me një ulje prej 35% të rrezikut të depresionit. Megjithatë, studiuesit janë fokusuar te agrumet, si portokalli dhe grejpfruti, duke zbuluar se konsumimi i tyre mund të ulë rrezikun e depresionit me 22%.
Si ndikon konsumi i agrumeve në depresion?
Studimi përfshiu të dhëna nga mbi 32,000 gra të moshës mesatare, të cilat u ndoqën nga viti 2003 deri në 2017. Pjesëmarrëset plotësonin pyetësorë mbi zakonet e tyre ushqimore dhe statusin e tyre shëndetësor çdo dy vjet.
Rezultatet treguan se gratë që konsumonin agrume rregullisht kishin një probabilitet më të ulët për të zhvilluar depresion, krahasuar me ato që konsumonin më pak ose aspak. Ndërkaq, nuk u gjet një lidhje e tillë mes konsumit të frutave të tjerë si mollët apo bananet dhe depresionit.
Një portokall në ditë mund të bëjë diferencën
Dr. Raaj Mehta, studiues në Harvard Medical School, theksoi se edhe një portokall i vetëm në ditë mund të ketë efekte pozitive në uljen e rrezikut të depresionit. Ai shpjegoi se agrumet ndihmojnë në shtimin e një bakteri të dobishëm në zorrë (F. prausnitzii), i cili ka lidhje me uljen e simptomave të depresionit.
Megjithëse kërkohen studime të mëtejshme për të krahasuar efektet e agrumeve me ilaçet antidepresive, rezultatet e deritanishme sugjerojnë se ndryshimet në dietë mund të jenë një qasje e vlefshme për parandalimin dhe menaxhimin e depresionit.