Në epokën e sotme, telefonat janë bërë pjesë e pandashme e rutinës sonë. Nga shfletimi i rrjeteve sociale, deri te kontrollimi i vazhdueshëm i imejleve, një njeri mesatar kalon orë të tëra në telefon.
Neuroshkencëtarët paralajmërojnë se qëndrimi i tepruar mund të çojë në rënien e funksioneve kognitive, zvogëlimin e përqendrimit dhe sjellje të ngjashme me varësinë. Vërtet ndihemi mirë kur lundrojmë në internet dhe në rrjetet sociale, ama, ndikon negativisht në marrjen e vendimeve, gjendjen emocionale dhe vetëvlerësimin.
Termi "prishja e trurit" është përdorur për të përshkruar rënien e aftësive kognitive dhe reduktimin e përqendrimit, të shkaktuara nga stimulimi i tepruar nga mediat digjitale.
Një studim nga kërkuesit gjermanë, i botuar në Computers in Human Behavior, zbuloi se reduktimi i qëndrimit në telefon për vetëm tri ditë solli ndryshime të rëndësishme në aktivitetin e trurit.
Studimi u realizua me 68 të rinj, të moshës 18 deri 30 vjeç, të cilët iu nënshtruan skanimeve MRI dhe vlerësimeve psikologjike gjatë 72 orëve. Pjesëmarrësve iu kërkua të shmangin përdorimin e telefonave për një periudhë të gjatë kohore, dhe gjatë kësaj periudhe, u monitoruan ndryshimet në aktivitetin e trurit të tyre.
Me anë të skanimit MRI treguan ndryshime në zonat që lidhen me ndjenjën e kënaqësisë dhe kontrollin e impulsit, duke treguar se edhe pushimet e shkurtra pa telefon, mund të ndihmojnë në rikthimin e funksionimit të trurit.
Pavarësisht se është e pamundur të shmangim plotësisht teknologjinë, është e rëndësishme të shkëputemi për pak kohë për të mbrojtur shëndetin tonë mendor dhe për të përmirësuar mirëqenien kognitive.