Çmimet rriten, faturat rëndohen, por shqiptarët… thjesht përshtaten. Inflacioni për muajin shkurt mbeti në të njëjtin nivel si në janar, me një normë vjetore prej 1.9%. Duket një shifër e përmbajtur, apo jo? Por pas këtyre përqindjeve të qeta fshihet realiteti i përditshëm: një shportë ushqimesh gjithnjë e më e shtrenjtë dhe një popull që vazhdon të paguajë pa bërë zë.
Sipas INSTAT-it, qytetarët po shpenzojnë më shumë për gjithçka që ka të bëjë me jetesën e përditshme: ushqime, qira, mirëmbajtje shtëpie, veshje e madje edhe argëtim (në rast se u mbeten para për këtë luks). Ushqimet vazhdojnë të jenë "kampionët" e inflacionit, me një rritje të çmimeve prej 2.8%. Në krye të listës? Mishi, me një rritje prej 4%, i ndjekur nga zarzavatet me 3.2% dhe produktet e bulmetit me 2.8%.
Dhe ndërsa shporta ushqimore rëndohet, shqiptarët nuk e ndiejnë të nevojshme të shprehin pakënaqësinë e tyre. Protestat janë një sport i harruar, ose një event ekskluziv për fushatat elektorale. Për momentin, zgjidhja e vetme mbetet ajo tradicionale: më pak mish, më shumë makarona.
Nëse situata vazhdon kështu, nuk do të vonojë dita kur buka do të trajtohet si delikatesë dhe kafja në lokal si luks i tepruar. Por përderisa qetësia mbizotëron dhe askush nuk pyet "pse?", tregu do të vazhdojë të bëjë atë që di më mirë: të rrisë çmimet. Dhe shqiptarët, si gjithmonë, do të përshtaten.