Iris Luarasi sqaroi publikisht se nuk kishte interes për postin e drejtoreshës së RTSH-së, pasi paga prej mbi 2 milionë lekësh të vjetra nuk do t’i mbulonte dot shpenzimet familjare, përfshirë shkollimin e fëmijëve jashtë vendit.
“Një shembull është fakti që, nëse do të bëhesha drejtoreshë e RTSH-së, nuk do të kisha më mundësi të mbaja fëmijët në shkolla jashtë, do të duhet t’i sillja në Shqipëri. Nuk do ja kisha dalë dot me rrogën e RTSH-së”, deklaroi ajo.
Por, përballë kësaj deklarate, të dhënat financiare hedhin dritë mbi një realitet tjetër.
Iris Luarasi është prej shumë vitesh pedagoge në Degën e “Gazetarisë” në Universitetin e Tiranës, me një pagë rreth 1.3 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, prej vitesh ka administruar “Radio ime”, një eminent lokal, i cili nuk duket se i ka sjellë fitime.
Burimi kryesor i të ardhurave të saj është angazhimi si Drejtore Ekzekutive në organizatën jo-qeveritare “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, e cila duket se është arsyeja kryesore që zonja Luarasi nuk preferon pagën e drejtorit të Radio-Televizionit Publik.
Referuar të dhënave të “Listës së Pagave” të publikuara më herët në media, paga mujore e Iris Luarasit është rreth 3.2 milionë lekë të vjetra.
Sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Agjencisë së Ndihmës së Huaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizata “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, e drejtuar nga Iris Luarasi, ka përfituar mbi 300 mijë dollarë nga USAID gjatë periudhës 2022-2023. Një pjesë e kësaj shume është marrë direkt nga organizata, ndërsa pjesa tjetër është siguruar përmes koalicioneve të krijuara ndërmjet organizatave të ndryshme për mbrojtjen gjinore në Shqipëri.
Gjithashtu, sipas të dhënave nga “spendingdata.al”, organizata ka marrë rreth 140 mijë dollarë nga fondet publike në vitet e fundit, kryesisht në formën e Mbështetjes për Shoqërinë Civile, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 110, datë 06.03.2019.
Në vitin fiskal 2022, “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza” mori 50 mijë dollarë nga USAID për projektin “Ndërtimi i qëndrueshmërisë së komunitetit në rrezik”, i cili përfundoi në prill 2023.

Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, “Linja” e drejtuar nga Luarasi ka përfituar edhe një fond tjetër, në shumën e 53 mijë euro, në kuadër të projektit “Riintegrimi dhe rehabilitimi i të burgosurve të radikalizuar”.

Në vitin 2022, qendra “Linja e Këshillit për Gra dhe Vajza” ishte një nga përfitueset e projektit “Fuqizimi Ekonomik i Grave nëpërmjet Vlerave të Ndjeshme Gjinore”, për të cilin USAID lëvroi 278 mijë dollarë në favor të Qendrës së Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC).
